11 maji – Takimi me Dumanin, Çelën dhe Celibashin, ambasada gjermane: Organizimi i zgjedhjeve, provë kyçe për demokracinë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, zhvilluan sot një takim në Ambasadën Gjermane në Tiranë me ambasadorët në vend dhe Shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it. Takimi kishte për qëllim informimin mbi përpjekjet aktuale për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve vendore të 11 majit.
Gjatë takimit u prezantua një përmbledhje e gjendjes aktuale në të gjithë territorin e vendit, përfshirë numrin e ankesave të marra dhe procedimeve të nisura deri më tani. U theksua gjithashtu edhe niveli i bashkëpunimit mes institucioneve përkatëse në këtë drejtim.
Ambasadorët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve shqiptare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve shqiptare të përfshira dhe efekti parandalues i veprimtarisë së përbashkët ndaj krimeve zgjedhore u mirëprit nga pjesëmarrësit. Ambasadorët përshëndetën angazhimin e aktorëve shtetërorë dhe politikë shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj. Organizimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, gjithashtu në lidhje me aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE”, thuhet në reagimin e ambasadës gjermane.
Zgjedhjet e 11 majit cilësohen si një provë kyçe për funksionimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, sidomos në kontekstin e procesit të integrimit europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




