Zelensky: SHBA të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë, s’ka marrëveshje që shkel Kushtetutën tonë

Botë | 2 vite më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se bisedimet e nivelit të lartë të mbajtura dje në Londër midis zyrtarëve ukrainas dhe perëndimorë nuk ishin “të lehta”, por ishin “konstruktive”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi në Afrikën e Jugut së bashku me Presidentin Cyril Ramaphosa, Zelensky shprehu gjithashtu skepticizëm për nivelin e presionit që po ushtrohet ndaj Rusisë nga Shtetet e Bashkuara në shtytjen aktuale diplomatike për paqe.

Ai vuri në dukje se Kievi po angazhohet në përpjekjet e propozuara nga aleatët e tij, por theksoi se Ukraina nuk mund të shpërfillë Kushtetutën e saj.

“Është tashmë një kompromis i rëndësishëm nga ana e Kievit që të bihet dakord për të negociuar me Rusinë pasi të shpallet një armëpushim”, tha Zelensky, duke sugjeruar se Ukraina ka treguar mirëbesim pavarësisht armiqësive të vazhdueshme.

Ai zbuloi se dokumenti i ri që përmban propozime të dala nga bisedimet në Londër i është dorëzuar tani presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Pas propozimit të SHBA-së, u shfaqën dokumente të tjera dhe besoj sot, ky format, ky dokument, është në tryezën e Presidentit Trump”, vuri në dukje Zelensky.

Ai e bëri të qartë, megjithatë, se çdo marrëveshje duhet të përputhet me parimet thelbësore të Ukrainës: “Çdo gjë që bie ndesh me vlerat tona ose me Kushtetutën tonë nuk mund të përfshihet në asnjë marrëveshje”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme