Pogradeci godet në Burrel

Pogradeci bën surprizën e madhe në fazën playoff të Kategorisë së Parë, duke nxjerrë jashtë gare Burrelin dhe duke vazhduar të ëndërrojë për një ngjitje të mundshme në Superiore. Skuadra e Ardian Memës ka triumfuar 0-1 në Liri Ballabani, falë një goli të Krasniqit në minutën e 21’. Nuk ka vlejtur për asgjë, fakti që matjanët kishin dy rezultate në tre në favor duke qenë se ishin renditur më lart në renditje, në përfundim të sezonit të rregullt.
Burreli ishte favorit në këtë ndeshje, duke qenë se kishte marrë tre fitore në t6re përballjet sezonale, por të besuarit e Ditmar Bicajt kanë dështuar në atë që kishte më shumë rëndësi me të gjithë situatën në favor, kur përvec kualifikimit edhe me barazim, luanin brenda mureve të shtëpisë. Pogradeci u kujdes të mos lejonte hapësira dhe në fakt nuk rrezikoi pothuaj asgjë në pjesën e parë, të mbyllur me Burrelin që provoi pa shumë bindje.
Në të dytën, ritmi u rrit sepse minutat që kalonin afronin dështimin dhe vendasit provuan me një goditje dënimi që gjeti të gatshëm portierin Staniç në minutën e 75’. Ndërhyrjen më të rëndësishme sidoqoftë portieri i Pogradecit e kishte ruajtur për në minutën e 85’, kur devijoi në kënd goditjen e rrezikshme të Zanit.
Skuadra e Memës rezistoi deri në fund të 5 minutave shtesë dhe tani do të përplaset me Besën për një vend në sfidën finale për ngjitjen ose jo në elitë, me të tetën që do të renditet në Superiore në fund të sezonit të rregullt.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



