Besa, ëndrra vazhdon

Futboll Vendi | 2 vite më parë

Besës së Kavajës i mjaftoi barazimi për të vazhduar ëndrrën në Play-off për një vend në Abissnet Superiore në sezonin 2024-2025. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen me Apoloninë, e cila është luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit dhe ka ardhur drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në fakt ka qenë një ndeshje me tension, ndërsa fierakët kanë qenë kërkues për të dalë fitues nga kjo sfidë si mundësia e vetme për të vijuar më tej. Në të 10’ vjen i ndëshkuari i parë i kësaj sfide, që është Nonato.

Apolonia i afrohet golit me Umejiegon, por shënjestra është e gabuar. Besa zgjohet me vështirësi dhe në të 31’ vjen mundësia e parë ideale për verdhezinjtë. Goditje dënimi, ekzekuton Spahia dhe grushton Kaçaj. Në fundin e shtesës prej dy minutash, kjo në pjesën e parë, Nonato i ka patur të gjitha mundësitë për të shënuar, por sërisht pa shënjestër. Pjesa e dytë ka nisur me 15 minuta vonesë, sepse ambulanca në “Niko Dovana” ka mbërritur me vonesë.

Gjithçka për gjithçka për Apoloninë, e cila në të 75’ ka kaluar në avantazh me Maksutin. Katër minuta nga fundi, Abdulai i ka dhënë qetësinë Besës, teksa ka barazuar në 1-1. Dhe në vërshëllimën e fundit të Grimcit, ato që festojnë janë verdhezinjtë, të cilët do të duhet të kalojnë dhe Pogradecin për t’u ndeshur më pas me të tetën e Abissnet Superiore. Gjithnjë me ëndrrën për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme