“Në Gramsh do rikthejmë industrinë ushtarake”, Rama: Altin Dumani po vendos drejtësi me “shpatën” që i dhamë ne

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Në kuadër të turit elektoral që po zhvillon në Qarkun e Elbasanit, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, ka zhvilluar një takim me qytetarë të Gramshit.

Në këtë takim ai shoqërohej edhe nga drejtuesi politik i PS për Qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku, njëkohësisht kryesues i listës së këtij qarku.

Gjatë fjalës së tij, Rama e vuri theksin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, Rama informoi të pranishmit se në Gramsh do të vijë edhe një kompani e madhe për të filluar prodhimin në industrinë ushtarake, ku do të punësohen shumë qytetarë me paga mjaft të mira.

“Gramshi ka filluar të vizitohet. Ajo që ne do të bëjmë është që të nxisim dhe të mbështesim këdo që do të dojë të investojë në këto territore kaq të bukura. Kemi ndërmarrë edhe një hap tjetër. Hapin e rilindjes sonë të industrisë ushtarake. Në Gramsh, do të vazhdojmë punën për disa pika dhe një nga ato pikat është se duam të sjellim një kompani të madhe për të filluar prodhimin me paga shumë të mira. Këtë do ta bëjmë realitet, më herët sesa vonë. Por ka diçka edhe më të rëndësishme më 11 maj. Duhet të bëjmë çdo përpjekje që sa më shumë njerëz përtej kufijve, të na bashkohen”, tha Rama.

Për kryeministrin, Edi Rama, 11 maji është një datë historike ndaj ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të bashkuar pa dallime politike.

“Ka dhe diçka tjetër edhe më të rëndësishme në 11 maji, ku të gjithë ne duhet të jemi të bashkuar dhe të bëjmë çdo përpjekje që të na bashkohen sa më shumë njerëz përtej kufijve të partive.”, tha Rama.

Sipas tij, ajo që e bën 11 majin një ditë historike nuk është se populli do shkojë në zgjedhje si çdo katër vjet, por në këtë datë shqiptarët duhet të marrin një vendim historik që nuk lidhet thjeshtë me katër vitet e ardhshme.

“Populli do të marri vendim për diçka që lidhet me të ardhmen, me historinë, për një Shqipëri që të jetë pjesë e perëndimit, që të mos jetë popull që trajtohet si popull i kategorisë së dytë apo një popull i huaj, kur ne jemi një ndër popujt më të vjetrit këtu.”, tha kryeministri.

Drejtësia

Duke folur për sistemin e drejtësisë, kryesocialisti tha se ai vetë nuk e njihte dikur kreun e SPAK, Altin Dumanin, ndonëse ishte njeri kurajoz e profesionist.

“Por vetëm me Reformën në Drejtësi, Dumani ka “shpatën” e drejtësisë për të vendosur barazi para ligjit. E njihni ju Altin Dumanin? Unë jo. Ky njeri kurajoz e profesionist a është thirrur ndonjëherë? Jo. Sepse Altin Dumani e të tjerë ishin njerëz të çarmatosur, ata që i janë qepur prapa, këneta me kuak kuak kuak që duan të na parakalojnë, duke i treguar popullit përralla që nuk i ha njeri, ata jo shumë vite më parë vrisnin ditën për diell. Kanë vrarë disa herë në kohë të ndryshme derisa vranë nën dritaret e kryeministrisë. E imagjinoni dot që sot të vriteshin protestues, poshtë dritares së kryeministrisë? Altin Dumani të çonte letër për 3 drejtues të policisë dhe unë të përdorja detyrën për ti mbrojtur dhe të dilja në televizion e të thosha se prokurorja është lavire, siç i tha bufi i kënetës?”. pyeti në mënyrë retorike Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme