Berisha me studentët e mjekësisë: Shëndetësia mori goditjet më të rënda 4 vitet e fundit

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me studentët e mjekësisë ku shprehu shqetësimin për situatën alarmante në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Sipas tij, në katër vitet e fundit, ky sektor ka marrë goditjet më të rënda.

“Në vitin 2013 kishim një mjek për çdo 600 banorë, sot kemi një për 1100, ndërsa mesatarja e BE-së është një mjek për 300-350 banorë,” tha Berisha. Ai solli në vëmendje edhe mungesën e specialistëve në spitale rajonale, duke përmendur rastin e spitalit të Kukësit që, sipas tij, ka mbetur pa kirurgë të rregullt.

Berisha foli ashpër për menaxhimin e pandemisë dhe për keqpërdorimin e fondeve publike: “500 milionë euro u abuzuan me fondet e COVID-it. Ndërkohë, Shqipëria doli në krye të listës për vdekshmërinë nga kjo sëmundje në Europë.”

Ai përmendi edhe mungesën e pajisjeve moderne në spitalet publike, si PET skaneri apo akseleratorët që, sipas tij, janë jashtë funksionit për shkak të mungesës së vullnetit për riparim. “Mafia e shëndetësisë dëshiron që qytetarët të shkojnë tek privati dhe të paguajnë nga xhepi i tyre. INSTAT njoftoi se shqiptarët shpenzojnë 820 milionë euro në vit për kujdes shëndetësor.”

Duke prezantuar pjesë të programit të opozitës, Berisha njoftoi se një nga hapat e parë nëse vjen në pushtet do të jetë vendosja e minimumit jetik prej 6.3 eurosh në ditë, bazuar në të dhënat e ILO-s dhe Avokatit të Popullit. Ai gjithashtu premtoi një paketë ndihme financiare për pensionistët, të papunët, studentët dhe shtresat në nevojë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme