Zgjedhjet e 11 majit, në KQZ kanë mbërritur mbi 22 mijë zarfe me votat e diasporës
Për herë të parë në historinë e vendit, emigrantët po votojnë për parlamentaret e 11 majit nga vendi ku ata jetojnë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e dërgimit të zarfeve me fletëvotimet për shqiptarët jashtë vendit. Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga KQZ-ja, deri sot janë marrë nga zgjedhësit 174.490 zarfe, ndërsa 36.486 kanë mbërritur në KQZ.
Deri tani më shume zarfe kanë ardhur nga Italia 6,8%, Gjermania 1,5% Mbretëria e Bashkuar 1,0%, Shtetet e Bashkuara te Amerikës 0,7% dhe Greqia 0,7%. Për zarfet e mbërritura sipas qarqeve, vendin e parë e zë Durrësi me 3,6%, më pas Elbasani me 1,8%, Berati me 1,4%, Dibra me 1,3%, Tirana me 1,2% dhe Lezha me 0,8%.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë, ku do të kryhet edhe numërimi i votave të diasporës.
Zarfet po monitorohen 24 orë nga kamera të sigurisë, por dhe përfaqësues të partive politike.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




