Zgjedhjet e 11 majit, Komisioni Rregullator miraton rregullat procedurale për procesin e votimit dhe numërimit elektronik

Komisioni Rregullator miratoi të premten rregullat procedurale për procesin e votimit dhe numërimit elektronik me anë të pajisjes elektronike të votimit dhe numërimit (PEVN) në zgjedhje.
Lajmi është bërë i ditur sipas një njoftimi për shtyp nga KQZ-ja. Vendimi i miratuar përcakton procedurën e dorëzimit të PEVN-ve, KQV-ve përkatëse, ku do të pilotohet votimi dhe numërimi elektronik, nga ana e KQZ-së, së bashku me kutitë shoqëruese, që mundësojnë votimin elektronik, procesverbalet dhe dokumentacionin e punës të përshtatur, e të tjerë.
“Komisioni Rregullator miratoi udhëzuesin e punës së Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupeve të Numërimit të Votave, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Udhëzuesi i punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave ka për qëllim të detajojë detyrat dhe mënyrën e funksionimit të KZAZ-së dhe të anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave, gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për Zonën e Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.’, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ky udhëzues ju vjen në ndihmë trajnerëve të administratës zgjedhore për zhvillimin e trajnimeve me anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor si dhe anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit.
Në udhëzues janë parashikuar rregullat që duhet të zbatohen në Vendin e Numërimit të Votave, veprimet paraprake të KZAZ për fillimin e procesit të numërimit të votave.
“Procesi i numërimit të votave është qartësuar sipas ndarjeve në nënpika, duke filluar nga veprimet që kryen KZAZ dhe GNV, për fillimin e procesit të numërimit të votave; Hapja e kutisë së fletëve të votimit; Numërimi i fletëve të votimit; vlerësimi i tyre, vlerësimi i votës, kontestimi dhe rivlerësimi i votës. Gjuha e përdorur është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Fjalitë janë të shkurtra dhe janë përcaktuar hapat që KZAZ dhe GNV ndjekin në çdo fazë të procesit.”, njofton KQZ-ja.
Gjithashtu, Rregullatori vendosi që për administrimin e zgjedhjeve për Kuvend, të datës 11 maj 2025 në çdo KZAZ dërgohen kuti rezervë.
Marrja e këtij vendimi erdhi për shkak të përmbajtjes së zgjeruar, pasi fleta e votimit ka përmasa më të mëdha se ato të përdorura zakonisht, dhe është format A3+ i zgjatur, me dimensione 297 x 600 mm.
Si rezultat, në disa qendra votimi, veçanërisht ato me numër të lartë zgjedhësish, mund të shfaqen vështirësi në depozitimin e fletëve në kutitë e votimit, aktualisht në përdorim nga KQZ.
Në këto kushte, kapaciteti i kutive, mund të jetë i pamjaftueshëm për të akomoduar numrin dhe madhësinë e fletëve pa shkaktuar problematika operacionale apo vonesa gjatë procesit të votimit.
“Ky vendim synon të garantojë vijueshmërinë dhe integritetin e procesit të votimit në rastet kur kutia standarde e votimit mbushet përpara përfundimit të procesit. Ai parashikon mënyrën e përdorimit të kutive rezervë dhe rregullat e detajuara për dokumentimin, verifikimin dhe transparencën e këtij procesi.”, mbyllet njoftimi për shtyp i KQZ-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




