Kavajë, Berisha: qeverisja e Ramës një dështim, më 11 maj, PD lokomotivë e integrimeve evropiane të Shqipërisë

Kavaja ka qenë stacioni i radhës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Berisha, në fjalimin e tij në Kavajë, premtoi mbështetje për fermerët, bujqit, të rinjtë, programe shkollimi dhe strehimi, si dhe kredi të buta.
Në fjalën e tij ai nënvizoi se qeverisja e Ramës në 12 vite nuk regjistron asnjë rekord pozitiv, por vetëm dështime.
Berisha deklaroi se këto dështime, kreu aktual i qeverisë, po përpiqet t’i mbulojë me “batuta dhe skeçe të turpshme për gra kundër burrave dhe burra kundër grave”.
“Do të heqim mesataren, dyert e universiteteve do të hapen. Të rinjtë do të punësohen, rrogat do të rriten. Një çati për çdo çift të ri dhe grant 30 mijë euro për kredi strehimi. Emigrantët do ti kthejmë nga emigracioni, 5 vjet pa taksa për bizneset, dhe do të mbështeten start-upet. Fermerët do njohin pesëfishim të subvencioneve. Për çdo fidan, kokë bagëti, do marrin shumëfishin e subvencionit.”, tha Berisha.
Sipas tij, narkodiktator më të pashpirt se Edi Rama nu ka pasur, edhe pse ka pasur diktaturë më parë. Ai renditi dhe ato që i komenton si dështime të Ramës dhe PS-së.
“Shikoni në krahun tjetër, në 12 vite, ka një rekord me dështime dhe nuk ka rekord me arritje, ka vetëm vjedhje. Nuk ka rekord dhe përpiqet ta kalojë me batuta, me desintegrimin e familjes, me sulmin ndaj familjes, përpiqet të grabisë vota. Ne jemi parti e traditës familjare, konservatorë, me integritet. I them Ramës se përpjekjet e tua qesharake, banale, të padenja, për të krijuar skeçe me gra kundër burrave dhe burra kundër grave janë turpi i dheut, ndaj garantoj se më 11 maj, Edi Rama i shtypet koka dhe bishti në Shqipëri! Më 5 nëntor iu shtyp koka Sorosit, më 11 maj do i shtypet koka Ramës. Do përfundojë në katakombet e historisë. Shqipëria nën shembullin e Kavajës do ngrihet në një udhëtim të ri, drejt të ardhmes, drejt Evropës”, u shpreh Berisha.
“Ka një forcë të caktuar, lokomotivë e integrimeve evropiane të Shqipërisë në Evropë dhe kjo është PD dhe koalicioni ynë, koalicioni i fitores, koalicioni madhështor”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




