Konstituimi i Kuvendit- Krasniqi pas takimit me Kurtin: Nuk pres ndryshim situate. Propozo kandidatura të tjera

Kosovë | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se nuk pret ndonjë ndryshim të situatës politike në vend, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në detyrë dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Takimi, që zgjati më shumë se një orë, u zhvillua në përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit, Krasniqi theksoi se qëndrimet e PDK-së mbeten të pandryshuara. Ai tha se ka kërkuar nga Kurti që të shqyrtojë kandidatura të tjera për postin e kryetarit të Kuvendit, përveç Glauk Konjufcës ose ndonjë emri të ngjashëm, duke nënkuptuar refuzimin për të mbështetur kandidatin aktual.

“Qëndrimet tona janë të qarta. Për ne, është e rëndësishme që sa më parë të zhbllokohet situata dhe të hyhet në afatet kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë. Megjithatë, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, në këtë rast Vetëvendosjes – por me konsensus, jo me imponim,” u shpreh ai.

Krasniqi kritikoi qasjen e Vetëvendosjes, duke thënë se është hera e parë që një parti pa shumicë parlamentare kërkon të zgjedhë kryetarin e Kuvendit pa marrëveshje politike. Ai nënvizoi se PDK-ja nuk ka pasur qëndrim bllokues, por se nuk do të votojë një kandidat pa dakordësi të gjerë politike.

“Kryetari i Kuvendit nuk është pozicion simbolik – ai mund të ushtrojë edhe detyrat e presidentit në situata të caktuara. Prandaj nuk mund të krahasohet me pozitat e nënkryetarëve,” shtoi kreu i PDK-së.

PDK, që doli forcë e dytë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka insistuar në respektimin e procedurave demokratike dhe në krijimin e një shumice parlamentare funksionale për të çuar vendin përpara.

Takimi mes Kurtit dhe Krasniqit u zhvillua në përpjekje për gjetjen e një zgjidhje për bllokadën e krijuar në procesin e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kurti u dërgoi një ditë më parë ftesë për takim konsultativ liderëve të dy partive opozitare, PDK dhe LDK, me qëllim zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit – përfshirë kryetarin dhe pesë nënkryetarët, siç përcaktohet me Kushtetutë. Sipas kësaj, tre nënkryetarë duhet të vijnë nga tri partitë që kanë fituar më së shumti ulëse në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës refuzoi pjesëmarrjen në takim. Deputetja Hykmete Bajrami ka deklaruar se pozita e nënkryetarit që i takon LDK-së nuk është objekt diskutimi me asnjë subjekt politik.

Ndërkohë ditën e sotme (1 maj) do të mbahet seanca e nëntë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas dështimit të përpjekjes së tetë të martën. Kujtojmë se kandidatja për kryetare Kuvendi nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka dështuar gjashtë herë për t’u zgjedhur në krye të këtij institucioni.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme