Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit, Manastirliu: Rrisim kapacitetet e universiteteve

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes së punimeve të Kongresit të Parë Ndërkombëtar të Shkencave të Shëndetit, theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes ndaj kërkimit shkencor, duke e cilësuar kongresin si një platformë të madhe diskutimi:
“Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit është një platformë e madhe e diskutimit mbi shkencat e shëndetit që bashkon mbi 300 studiues e kërkues shkencorë dhe unë jam e bindur që do të keni mundësi në këto tre ditë intensive të shkëmbimit të praktikave të mira të projekteve të kërkimit shkencor, t’i shërbeni asaj që është më e rëndësishme: shëndetit të qytetarëve dhe kujdesit ndaj pacientëve.
Për ne ka një rëndësi parësore kërkimi shkencor. E kemi treguar në të gjitha këto vite të punës sonë përmes një bashkëpunimi interaktiv me komunitetet ndërkombëtare të universiteteve të ndryshme europiane dhe e kemi treguar gjithashtu me të gjithë instrumentat financiarë por edhe ligjorë të cilët i kemi vendosur në funksion të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, tha Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen e qeverisë në fushën e kërkimit dhe inovacionit, Ministrja u shpreh se përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit janë bërë hapa të rëndësishëm në financimin e kërkimit shkencor për të gjitha universitetet.
“Bashkë me Akademinë e Shkencave ne punuam fort me gjithë universitetet për ligjin e ri të shkencës në Shqipëri. Tashmë jemi në fazën ku jemi duke ndërtuar të gjithë instrumentat ligjorë, sepse ky ligj jo vetëm që mbështet shkencën e hapur, por krijon mundësinë që në të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë, aty ku shkenca lëvrohet dhe mbështetet, të kemi dhe qendra të tjera ku jo vetëm financiarisht do të mbështeten nga buxheti i shtetit, por edhe nga të tretët: nga biznesi, që është një nxitës shumë i fortë sa i përket kërkimit shkencor, por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ne tashmë jemi në fazën ku do të prezantojmë projektet e reja të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës së kërkimit shkencor. Janë mbi 100 projekte që do të financohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit; projekte të cilat jo vetëm ngrejnë në një standard kërkimin shkencor në Shqipëri, por nga ana tjetër hapin dyer për bashkëpunimin me diasporën akademike, me biznesin, duke realizuar atë që është qëllimi i tretë i arsimit të lartë, shërbimin ndaj shoqërisë”., tha ministrja.
Ajo shtoi gjithashtu se ndërkombëtarizimi i universiteteve është prioritet, duke theksuar bashkëpunimet me institucione të njohura ndërkombëtare.
Kongresi do të zgjasë tre ditë, duke krijuar një platformë frymëzuese për shkëmbimin e dijes, zhvillimin profesional dhe promovimin e ekselencës në fushën e mjekësisë dhe shkencave të shëndetit.
Në fokus të kongresit janë temat që prekin një spektër të gjerë të shkencave të shëndetit: nga mjekësia klinike, kirurgjia dhe urgjencat, te diagnostika teknologjike, shëndeti publik, shëndeti mendor, farmaceutika dhe rehabilitimi.
Ekspertë nga Shqipëria, Europa dhe SHBA po ndajnë dije rreth qasjeve të reja në diagnostikim, trajtim, menaxhim të sëmundjeve dhe humanizim të kujdesit shëndetësor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




