Montohet oxhaku në Kapelën Sistine, “lajmëtari” i botës për zgjedhjen e Papës së ri

Europë | 2 vite më parë

Konklava e vitit 2025 po afron dhe bashkë me të vëmendja e botës katolike është përqendruar në Selinë e Shenjtë. Këtë të premte, zjarrfikësit e Vatikanit montuan oxhakun mbi Kapelën Sistine, ku kardinalët do të mblidhen në konklavë duke filluar nga 7 maji, nga i cili do të dalë tymi i votave për zgjedhjen e Papës së ri. Oxhaku do të jetë kanali i komunikimit mes konklavës dhe pjesës tjetër të botës për të njoftuar ardhjen e pasuesit të Papës Françeskut.

Nga pasditja e 7 majit do të zhvillohen katër votime në ditë, dy paradite dhe dy pasdite dhe nëse tymi që del nga oxhaku është i zi, tregon se Papa i ri nuk është zgjedhur ende, ndërsa dalja e tymit të bardhë do të tregojë zgjedhjen e Papës së 267-të të Kishës Katolike. Ndërkohë që janë zhvilluar testet e para të tymit, që në këtë rast është i verdhë.

Konklava nis në mes të javës së ardhshme, kur të 133 kardinalët me të drejtë vote do të hyjnë në Kapelën Sistine për të zhvilluar procesin në mënyrë të fshehtë. Ata do të votojnë derisa dy të tretat e tyre, që janë të paktën 89 kardinalë, të bien dakord për një kandidat të vetëm. Shumë kardinalë kanë shprehur shpresën për një konklavë të shkurtër për të zgjedhur papën e ri, ngjashëm siç ndodhi me Françeskun dhe paraardhësin e tij, Benediktin XVI.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme