Ushtria amerikane krijon zonë të re ushtarake në kufirin me Meksikën

Ushtria amerikane ka zgjeruar praninë e saj përgjatë kufirit jugor me Meksikën, duke shpallur një zonë të dytë ushtarake në shtetin e Teksasit, si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të forcuar kontrollin kufitar dhe për të ndaluar emigracionin e paligjshëm.
“Zona e Mbrojtjes Kombëtare e Teksasit” shtrihet në një rrip prej 63 miljesh të gjatë pranë qytetit El Paso, në kufirin mes Teksasit dhe New Mexico-s. Kjo masë vjen pas krijimit të një zone të ngjashme në New Mexico muajin e kaluar, e cila mbulon një sipërfaqe prej 170 miljesh katrore.
Sipas deklaratës së ushtrisë amerikane, trupat në këto zona nuk kanë të drejtë të arrestojnë emigrantë, por mund t’i ndalojnë përkohësisht dhe t’ia dorëzojnë Patrullës Kufitare ose autoriteteve të tjera civile. Që nga krijimi i zonës në New Mexico, 82 persona janë akuzuar për kalimin ilegal, por asnjëri nuk është ndaluar drejtpërdrejt nga trupat ushtarake.
Qeveria federale ka theksuar se këto zona u krijuan për të shmangur përdorimin e Aktit të Kryengritjes të vitit 1807, i cili do të kërkonte autorizim për dislokimin e ushtrisë në ngjarje të brendshme civile.
Aktualisht, rreth 11,900 trupa janë të vendosura përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Ndërkohë, të dhënat qeveritare tregojnë një rënie të ndjeshme të kalimeve të paligjshme në muajin mars në nivelin më të ulët të regjistruar.
Guvernatori i Teksasit, Gregg Abbott, përshëndeti këtë zhvillim, duke publikuar fotografi të barrierave me tela me gjemba dhe duke theksuar bashkëpunimin me administratën Trump në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Nga ana tjetër, Guvernatorja e New Mexico-s, Michelle Lujan Grisham, e quajti këtë masë “një shpërdorim burimesh dhe personeli ushtarak”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




