Ekskluzive! Kënga “Zjerm” vjen me tekstin e saktë nga Lekë Gjeloshi
Ndërsa Shkodra Elektronike po përgatitet të ngjitet me “Zjerm” në skenën e Eurovizionit 2025, autorët ishin të ftuarit e të premtes mbrëma në RTSH, në emisionin “Një Shqipëri” nga Mentor Nazarko.
Gjatë bisedës mbi vargjet, muzikën e interpretimin e këngës fituese që mori kupën e Fest ’63, Nazarko i pyeti artistët për ngacmimin që i solli vargjet e saj goditëse e që për publikun erdhën në shkodranishte. Lekë Gjeloshi tregoi sesi lindi ideja, madje edhe variantin e saktë.
ZJERM (varianti i saktë)
- Muzika: Beatriçe Gjergji
- Teksti: Beatriçe Gjergji & Lekë Gjeloshi
- Orkestrimi: Kolë Laca
- Producenti realizues: Kolë Laca Studio
Në këtë minut
në këtë çast
no paranoia
pas shiut
e ylbertë duket bota
nëpër rrugë
asnjë ambulancë
kurrkush s’të flet
me arrogancë
edhe sot na thanë
që s’prishet koha.
Përfundova nën ujë
Kurrë s’m’u tha goja
Imagjino një minut
pa ushtarë
pa jetimë
as një shishe në oqean
naftës i vjen era jargavan
lirinë e fjalës
ta mëson shkolla
(para ref. 1)
Krijo në mua një zemër t’pastër
Në natën time, të dërgoj dritën
Aman miserere
Aman miserere
(ref. 1)
Në zemrën time
në zemrën teme
ky minut do të vazhdojë
Njerëzit e mirë
njerëzit pa emër
kërcejnë valle në shpirt
Jarna ne ti toka ime
ku kam lindë s’do të harroj
Jarna ne ti bota ime
vazhdo me shndrit
Shndrit
Shndrit
Shndrit
Shndrit
Zjerm!
Bjer mbi vallet tona tribale
që ushtojnë sa orteku kur bjen n’male
Zjerm!
Njerz’t pa emën e njerz’t e dlirtë
njësoj kputen e bijnë
si 7 thika që t’ngulen n’shpirt
Zjerm!
Këtu flen deti, rana e hana
e yjet s’i shohim se yjet na i shkelë kamba
kur ecim n’jerm
Zjerm!
Jena t’untë për flakë e dritë
e t’kërkojmë…
n’kyt terr që s’pranë tuej shndritë
“Zjerm”, kënga që bëri kthesën e shijes muzikore “festivaleske”, veçse përfaqësuese shqiptare në Eurovision 2025, është emblema që bashkoi artistë elitarë shqiptarë. Nëse ajo lindi spontanisht, në bashkëpunimin mes Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës, të cilët morën edhe mbështetjen e Lekë Gjeloshit për vargjet, zinxhiri i artë nuk këputet këtu. Kënga, bashkëpunimi, ideja, interpretimi… të gjitha u bënë ndjellëse për të tjerë artistë multimedialë në kornizën “alla shqiptare”.
Lekë M. Gjeloshi (1987) është një artist shqiptar, i cili, jeton dhe punon në Shkodër. Është diplomuar për arte pamore në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Në vitin 2015 u shpall fitues i çmimit “Idromeno”, ndërsa më 2016 fitoi çmimin “Ardhje”. Në vitin 2018 ishte artist rezident në Rezidencën Unlimited në Nju-Jork. Aktualisht, punon edhe si kurator pranë Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, në Shkodër.
Ardian Paci, miku i tyre artist multimedial, i dhuroi dyshes një klip të punuar enkas për ta… ide, që siç tha ai vetë, lindi duke dëgjuar e punuar për “Zjerm”. Po ashtu edhe një emër si Rubin Beqo, promotori kulturor i mirënjohur, është ai që ka firmën e tij në këtë realizim.
Artistët treguan se menjëherë pas prezantimit në Eurovision 2025, “Zjerm” vjen për publikun e gjerë me “cover” të ri, që ata e prezantuan ekskluzivisht për “Një Shqipëri”, me dy fotografitë e mëposhtme:
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








