Dhunuan shoferin e kamionit- Vihet në pranga vëllai i Bledion Nallbatit, kandidatit për deputet të PD-së

Policia e Korçës ka vendosur në pranga vëllain e kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, pasi akuzohet për dhunë ndaj një shoferi kamioni, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll në përfundim të “veprimeve të kryera në lidhje me një konflikt të ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrethrrotullimin e Bilishtit, arrestuan në flagrancë shtetasin A. N. 42 vjeç, banues në Devoll, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe ” Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Arrestimi i vëllait të kandidatit Nallbati u bë pasi u kap në flagrancë menjëherë pas konfliktit të ndodhur midis shtetasve A.N, B.N dhe shoferit të një kamioni transporti shtetasi S.D.
“Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike dhe kryerjes se veprimeve të tjera hetimore, rezultoi se më datë 03.05.2025, rreth orës 21:15 , në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit në qytetin e Bilishtit shtetasi A.N, ka ndaluar automjetin me të cilin lëvizte bashkë me vëllanë e tij shtetasin B.N (kandidat për deputet i një subjekti politik) duke penguar qarkullimin e automjeteve që lëviznin në këtë aks rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, duke iu referuar dinamikës së ngjarjes, policia shpjegon se shtetasi A.N ka dalë nga automjeti dhe ka debatuar verbalisht me një drejtues kamioni, dhe më pas ka tentuar ta zbresë me forcë nga kamioni shtetasin S.D, dhe ka tentuar ta qëllojë me grushte si dhe ta ofendojë duke kryer veprime të pa hijshme në publik.
Referuar pamjeve filmike, në këtë konflikt është përfshirë edhe vëllai i tij, Bledion Nallbati ku fillimisht ka tentuar të qetësojë situatën por më pas ka tentuar të zbresë me forcë nga kamioni shtetasin S.D.

Më tej policia thekson se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




