Zgjedhje vendimtare në Rumani

A do ta vazhdojë Rumania kursin demokratik? Kjo përcaktohet në zgjedhjet e përsëritura presidenciale që zhvillohen sot. Gjykata Kushtetuese i anuloi zgjedhjet e vitit 2024.
Rumania është prej muajsh në krizë politike pas anulimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar. Sot në këtë vend anëtar të BE-së dhe të NATO-s, ka nisur përsëritja e tyre.
Në garë janë njëmbëdhjetë kandidatë dhe pothuajse, sipas të gjitha gjasave, shanset më të mira i ka George Simion, udhëheqësi 38-vjeçar i partisë nacionaliste të djathtë AUR, parti e ekstremit të djathtë. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani në nëntor të vitit të kaluar, ai u rendit i katërti dhe mbështeti më pas fituesin, radikalin e djathtë, Calin Georgescu.
Raundi i balotazhit
Megjithatë, konsiderohet si e pamundur që njëri nga njëmbëdhjetë kandidatët të arrijë menjëherë shumicën absolute. Kandidati fitues do të dalë në raundin e balotazhit që është caktuar për më 18 maj.
Sipas sondazheve, është e vështirë të parashikohet se kush mund të dalë i dyti në raundin e parë. Shanse u jepen kandidatit të koalicionit qeveritar socialdemokrat-qytetar, Crin Antonescu, kryetarit të bashkisë të Bukureshtit konservator-liberalit, Nicusor Dan, dhe ish-kryeministrit socialdemokrat, Victor Ponta.
Fituesi i zgjedhjeve të anuluara nuk mund të kandidojë më
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në nëntor 2024, doli çuditërisht i pari miku i Kremlinit, ekstremist i djathtë, Calin Georgescu. Por Gjykata Kushtetuese e Rumanisë e shpalli rezultatin të pavlefshëm, për shkak të parregullsive në financimin e fushatës dhe të dyshimeve për ndërhyrje ruse. Gjykata, gjithashtu, ia ndaloi Georgeskut të kandidojë përsëri për president. Që nga fundi i shkurtit ai është nën hetim nga prokuroria.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




