Pasqyrimi i komunizmit në mediet shqiptare, raporti: Facebook, platformë me ndikim të madh në formimin kolektiv

Aktualitet | 1 vit më parë

Analizimi i 701 produkteve mediatike dhe diskursit të dëshmive nga periudha komuniste në mediet shqiptare nxjerr në pah mungesën e kontekstit dhe burimeve të verifikueshme.

Prezantimi i raportit nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë (UT) shfaqi video ndërgjegjësuese, ndërsa bëri publike gjetjet e një viti më parë.

Për studiuesen Jonila Godole, fenomeni i kujtesës në rrjetet sociale është një fenomen klikimesh.

“Nga 701 emisione, postime dhe shkrime që analizuam, 80 për qind e tyre, sidomos në Facebook dhe TikTok, kanë në qendër figura të caktuara, si Enver Hoxha, ose fjalë të tjera kyçe, si socializmi, jeta në socializëm. Kishte shumë pak fjalë kyçe të tjera për sa i përket represionit apo dhunës në diktaturë. Pjesa më e madhe është e fokusuar te glorifikimi. Përqindja më e vogël, 3,4 për qind, janë ekspertë dhe historianë,” u shpreh Prof. As. Dr. Jonila Godole, drejtuesja ekzekutive e IDMC-së.

Prof. Artan Fuga u ndal tek ndikimi që inteligjenca artificiale ka sot në shoqëri, ndërsa vuri theksin tek manipulimi i historisë.

“Duke qenë skeptik për historiografinë, puna është se jam skeptik edhe për ato njohuri që na jep inteligjenca artificiale. Pyes ChatGPT dhe i them: si mundet që shkrimi i historisë të mos sjellë përçarje në shoqëri, por të jetë gjithëpërfshirës – dhe më thotë gjëra që më habisin. Për mua e formojnë keq rininë, janë të gabuar për botën universitare, janë të gabuara për edukimin,” tha akademiku Prof. Dr. Artan Fuga nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit.

Studimi tregon se nga 346 përmbajtje të analizuara në mediet sociale, 86,1 për qind vinin nga Facebook, si një nga platformat kryesore me ndikim të madh në lidhje me ndërtimin e kujtesës kolektive.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme