Përkujtohet 620-vjetori i lindjes së Skënderbeut, veprimtari përkujtimore në memorialin e heroit në Lezhë

Aktualitet | 1 vit më parë

Lezha solli në kujtesë heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me rastin e 620-vjetorit të lindjes u organizua një veprimtari përkujtimore në memorialin e tij.

Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Eueda Molla, tha se nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, shqiptarët nuk ishin thjesht një popull në mbrojtje – ata ishin një komb në ngritje.

“Në këtë përvjetor të rëndësishëm ne përulemi me nderim përpara veprës së tij dhe mesazhit që ai përcolli për brezat e ardhshëm. Skënderbeu nuk ishte vetëm një strateg. Ai ishte një luftëtar i shquar. Kuptoi se liria, identiteti dhe dinjiteti i një kombi mbrohen me vendosmëri, me unitet dhe me dashuri të pakushtëzuar për atdheun,” u shpreh znj. Molla.

Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës, historiani Paulin Zefi, theksoi rëndësinë e përkujtimit të kësaj date, pavarësisht pasaktësive të mundshme historike mbi ditëlindjen e Skënderbeut.

“Ardhja në jetë e djalit të vogël, Gjergj Kastriotit, i cili u pagëzua me emrin e Shën Gjergjit, ishte një ngjarje e shënuar jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të gjithë arbrit që jetonin brenda territorit të Principatës së Kastriotëve. Pagëzimi nën emrin e një shenjtori … dhe sidomos triumfi i të mirës mbi të keqen, dritës mbi errësirën – kemi mitin e Shën Gjergjit, i cili vret dragonjtë…” tha z. Zefi.

Veprimtaria për 620-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit u mbyll me një koncert muziko-letrar kushtuar figurës së heroit tonë kombëtar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme