Vihen në pranga 2 persona, akuzohen për kanosje të pjesëmarrësve në zgjedhje

Aktualitet | 1 vit më parë

Policia e Mirditës ka arrestuar dy persona pasi dyshohen për veprat penale të  pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit”, “drejtimin e automjeteve në mënyrë të parregullt”, “vetëgjyqësia” dhe “kanosja apo dhunimi ndaj  pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Arrestimi i tyre ka ndodhur ditën e djeshme pasi rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i “kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.”

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve: -L. N., 45 vjeç, banues në Mirditë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj  pjesëmarrësve në zgjedhje”

-A. J., 25 vjeç, banues në Mirditë,  për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.

Ndërkaq, shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për bllokimin e rrugës në lagjen “Donaj” në Rrëshen dhe konfliktin verbal mes këtyre shtetasve, kanë ndërhyrë, duke shoqëruar palët në Komisariat dhe  kanë kryer veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë.

“Në vijim të veprimeve të kryera, pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në automjetet e shtetasve L. N. dhe A. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R. K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, po në vijim të veprimeve pas kryerjes së testit të alkoolit të tre drejtuesve të automjeteve rezultoi se shtetasi L.N., drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndërsa dy drejtuesit e automjeteve të tjera rezultuan se nuk kishin konsumuar alkool.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme