Sonte nis Eurovizioni! Shumë përkrahje për “Zjerm”, artistët thirrje fansave që të votojnë numrin 12
Rrugëtimi i Shkodrës Elektronike drejt skenës së madhe të Eurovizionit nisi mes emocionesh të mëdha dhe një euforie nga fansat e shumtë.
Pritshmëritë për këngën “Zjerm” u rritën ditë pas ditë, duke shënuar gjithashtu edhe pozicione premtuese në çdo sondazh online e votim mediatik. Nga provat e para e deri te provat gjenerale kënga “Zjerm” solli besimin se do të lërë gjurmë në këtë edicion të Eurovizionit.
“Energjia ishte shumë e bukur, skena fantastike, njerëz që duartrokitën shumë për flamurin shqiptar. Shpresojmë të gjejmë të njëjtën energji edhe në gjysmëfinale”, u shprehën artistët.
Beatriçe Gjergji dhe Kol Laca, sonte më shumë së kurrë kanë nevojë për mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Artistët i bëjnë thirrje fansave që të votojnë numrin 12-të për ta çuar Shqipërinë në finale e 17 majit.
“Shqiptarë na votoni në gjysmëfinale. Ne jemi numri 12-të”, Na votoni shqiptarë të Shqipërisë”, bëjnë thirrje artistët shqiptarë.
Shkodra Elektronike ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare jo vetëm për shkak të këngës e cila përzien elementet moderne me ato tradicionale, por edhe për shkak të stilit të tyre unik më të cilin janë prezantuar gjatë turit të tyre evropian dhe veçanërisht në daljet e tyre të fundit në Bazel.
Beatriçe Gjergji ka zgjedhur të bashkëpunojë më nënën e saj, stilisten e njohur Irina Dema për veshjet gjatë festivalit. Ato kanë sjellë elemente simbolike të traditës së vjetër shqiptare, përfshirë dhe sende personale, ruajtur me fanatizëm nga gjyshërit e nga të parët e familjes së saj.
Beatriçja do të shfaqet në skenën e madhe me veshjen e cila sjell legjendën e Rozafës së Shkodrës. Gjithashtu “Zjerm” do të vijë sipas konceptit skenik, të realizuar nga Ombra World Studio në Londër, me drejtim artistik nga Lorenzo De Pascalis. Dizajnet vizuale janë krijuar nga Emanuele Kabu, ndërsa ndriçimi nga Giorgio de Cassan.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




