Shqipëri–Britani firmosin deklaratën për mbrojtjen, Starmer: Bashkëpunim për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Britanik, Keir Starmer, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, e vuri theksin te bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Starmer tha se Britania dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë për prodhimin dhe shitjen e mjeteve ushtarake, por nuk dha shumë detaje.

Deklarata për këtë qëllim mes dy qeverive, si dhe asaj të Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit industrial, u firmos nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

“Kam kënaqësinë që të shprehem për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik që do thellojë bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, do maksimizojë potencialin që ne kemi për investime, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes. Mund të shprehem edhe për deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes, dhe do punojmë së bashku për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake”, u shpreh ai.

Si kryeministri i parë britanik që zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, Starmer e konsideroi këtë “privilegj” dhe tregues të “lidhjes së ngushtë” mes dy vendeve. Ai gjithashtu uroi Ramën për fitoren në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Është privilegj për mua që jam kryeministri i parë i MB që vij këtu për një takim dypalësh. Kjo është diçka madhore, sepse përfaqëson lidhjen e ngushtë mes dy vendeve. Urime për fitoren zgjedhore dhe është vërtetë gjë e madhe që jam këtu në Shqipëri për ta hapur atë që unë e shoh si kapitullin radhës në marrëdhëniet e forta mes dy vendeve. Kjo është mundësi për mua për të parë nga afër sesi po punojnë së bashku dy vendet tona për dy sfidat më të mëdha”, deklaroi kryeministri britanik.

Për mbajtjen e Samitit të premten (15 maj) në Tiranë, Starmer tha se përçon mesazhin që Europa është e bashkuar. Sipas kryeministrit britanik, “ky është momenti kur shtete europiane duhet të bëjnë qëndresë ndaj agresionit rus në kontinent”.

“Shqipëria është një aleat i fortë i NATO-s. Është mbrojtja e Ukrainës e cila do të vazhdojë të bëhet dhe ne do vazhdojmë të udhëheqim. Ju jam mirënjohës për këtë partneritet të fortë që keni treguar në këtë betejë tonën, duke treguar lidership në të gjithë botën, pra ju nesër do të prisni të gjithë udhëheqësit që do të vijnë për Komunitetin Politik Europian dhe duke bërë këtë ne po përçojmë një mesazh të qartë që Europa është e bashkuar, jemi të fortë jashtë nesh, jemi të sigurt brenda shtëpive tona, po vendosim paratë aty ku duhet dhe po thellojmë partneritetet tona”, theksoi ai.

Starmer mbërriti sot (15 maj) në Tiranë, ndërsa kjo është hera e parë që një kryeministër britanik vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare. Kjo vizitë i paraprin Samitit të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet të premten në Tirane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme