Ekonomia ruse më e dobët nga sa deklaron Moska

Sipas një raporti të përgatitur për BE-në, ekonomia ruse është në një gjendje më të keqe nga sa pranon qeveria në Moskë.
Pavarësisht stabilitetit sipërfaqësor, dobësitë strukturore të ekonomisë në Rusi po thellohen, thuhet në një analize të Institutit të Stokholmit për Ekonomitë në Tranzicion (SITE).
Shkaku për këtë është kalimi në një ekonomi lufte dhe efektet e sanksioneve perëndimore. Raporti u përgatit si material informues për ministrat e Financave të BE-së.
“Stimujt fiskalë për ekonominë e luftës i kanë siguruar ekonomisë mbijetesën për një afat të shkurtër”, thuhet në raport.
“Megjithatë varësia prej financimeve të paqarta dhe jo transparente, shpërndarja e shtrembëruar e burimeve dhe tkurrja e rezervave financiare i bëjnë ato të paqëndrueshme në plan afatgjatë. Ndryshe nga pretendimet e Kremlinit, koha nuk punon për Rusinë.” – thuhet në raport.
Dyshime për besueshmërinë e të dhënave ekonomike nga Rusia
Drejtori i SITE-s, Torbjörn Becker, shprehu në një takim me përfaqësues të mediave dyshime në lidhje me besueshmërinë e të dhënave ekonomike ruse.
“Nëse inflacioni është vërtet në nivelin 9- 10%, pse banka qendrore ka vendosur një normë bazë interesi prej 21%?”, pyeti ai.
“Nëse bankat tona qendrore do të bënin diçka të tillë, ato do të mbeteshin të nesërmen pa punë.” Nëse inflacioni vlerësohet si shumë i ulët, mbivlerësohet prodhimi ekonomik bruto. Gjithashtu ka mosmarrëveshje edhe për buxhetin.
“Një pjesë e madhe e financimit të luftës kalon përmes sistemit bankar. Nëse ua shtojmë këtë shifrave të buxhetit, deficitet e tyre do të ishin rreth dy herë më të larta se sa thuhet në statistikat zyrtare.”

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




