Macron dhe bashkëshortja në Tiranë për Forumin Ekonomik, firmoset planveprimi për inovacionin

Europë | 1 vit më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe zonja e tij, Brigitte, ndodhen në Shqipëri për t’iu bashkuar punimeve të Komunitetit Politik Evropian. Agjenda e kreut të Elizesë vijon edhe të shtunën e 17 majit.

Zonjat Macron dhe Linda Rama do të jenë në panelet e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar.

Ndërkaq sot (16 maj) pasdite, Shqipëria dhe Franca nënshkruajnë edhe një deklaratë bashkëpunimi për zbatimin e Planit të Veprimit për Inovacionin, me fokus te inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe energjia e gjelbër.

Marrëveshja siguron mbështetje financiare për projekte që nxisin teknologjitë digjitale në Shqipëri dhe pason takimet e nivelit të lartë që u zhvilluan nga tetori 2023 deri në prill 2024.

“Partneriteti me Francën është çelësi për të afruar më shumë investime, për të rritur bashkëpunimin akademik dhe për të fuqizuar ekonominë kreative shqiptare. Diskutuam për projektet konkrete që po marrin jetë, nga Fabrika AI dhe kampusi digjital, te përfshirja në teknologjitë më të avancuara, si superkompjuterët dhe Qendra BCC në Korçë,” njoftoi Blendi Gonxhja, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në qendër të bashkëpunimit qëndron Strategjia “Green AI”, e hartuar nga kompania franceze Inetum dhe e mbështetur nga qeveria franceze, e cila synon ta kthejë Shqipërinë në një qendër evropiane të teknologjisë së gjelbër.

Gazetare: Denada Shkodrani

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme