Zgjedhjet presidenciale në Rumani, pjesëmarrje e lartë mes akuzave për ndërhyrje ruse

Zgjedhjet presidenciale në Rumani nxorën të dielën një numër të lartë qytetarësh, të cilët votojnë për të përcaktuar drejtimin strategjik të vendit me 19 milionë banorë në Europë.
Kandidati kryesor, George Simion, ka ngritur shqetësime mbi mundësinë e manipulimeve zgjedhore, duke përmendur ekzistencën e 1,8 milionë personave të vdekur në listat e votuesve.
Deri në orën 13:00, në qendrat e votimit u paraqitën 1,3 milionë më shumë zgjedhës krahasuar me të njëjtën kohë në raundin e para dy javëve më parë. Rezultatet paraprake pritet të publikohen në orën 20:00, por rezultati përfundimtar mund të bëhet i ditur më vonë nëse zgjedhjet kontestohen.
Gara zhvillohet mes Simionit, një nacionalist kritik ndaj Bashkimit Europian dhe mbështetës i bashkimit me Moldavinë, dhe Nicusor Dan, një kandidat i moderuar që synon luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen e Ukrainës.
“Votova duke menduar për shumë njerëz që janë të qetë, të ndershëm, punëtorët dhe që prej kohësh nuk ndihen të përfaqësuar,” u shpreh z. Dan pas votimit në rajonin e Transilvanisë. Ndërkohë, Simion votoi në një qytezë të vogël pranë Bukureshtit, së bashku me mbështetësin e tij politik, ish-kandidatin ultranacionalist për president, Calin Georgescu.
Procesi aktual është një përsëritje e zgjedhjeve të anuluara më parë nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë mes shqetësimeve për ndërhyrje të huaja, që e kishin nxjerrë papritur fitues kandidatin Georgescu.
Simion e ka quajtur “grusht shteti” anulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar.
“Sot, më e rëndësishmja është që rikthejmë demokracinë, votën e popullit dhe kthejmë besimin e popullit rumun te demokracia,” u shpreh z. Simion pas votimit të së dielës. /Politico
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




