Biseda Trump-Putin, presidenti rus: Të eliminohen shkaqet që sollën luftën

Biseda telefonike që presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar për të hënën me homologun e tij rus, Vladimir Putin, ishte në qendër të bisedës që zëvendëspresidenti amerikan JD Vance zhvilloi të dielën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Dy zyrtarët e lartë u takuan në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Romë, ku shkuan pasi morën pjesë në ceremoninë e nisjes zyrtare të papatit të Leonit XIV, të mbajtur në Vatikan, ku edhe u panë duke shtrënguar duart. Kjo ishte hera e parë që Vance u takua me Zelensky që pas përplasjes së tensionuar që patën në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë në muajin shkurt.
Sipas një zyrtari ukrainas, dy zyrtarët e lartë diskutuan situatën në vijën e frontit dhe mundësinë e sanksioneve kundër Rusisë nëse nuk arrihet armëpushimi.
Një ditë më parë Trump njoftoi se do të fliste me Putinin për të diskutuar dhënien fund të “kasaphanës” që po ndodh në Ukrainë, siç u shpreh ai në një postim në rrjetin social Truth Social, duke shtuar se pas bisedës me liderin rus do të fliste edhe me Zelensky, si dhe me udhëheqësit e disa vendeve anëtare të NATO-s.
Putini ndërkohë u shpreh në një intervistë për televizionin shtetëror rus se çdo marrëveshje paqeje me Ukrainën duhet të garantonte sigurinë e Rusisë. “Qëllimi i Moskës është që të eliminohen shkaqet që e nxitën këtë krizë, të krijohen kushtet për një paqe që zgjat dhe që të garantohet siguria e Rusisë,” u shpreh presidenti rus, i cili theksoi se forcat e tij kontrollojnë rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës dhe kanë burimet e përshtatshme për të arritur qëllimin.
Kjo deklaratë erdhi pasi Rusia lëshoi gjatë natës që lamë një numër rekord dronësh ndaj Ukrainas. “273 dronë Shahed dhe lloje të ndryshme dronësh u dislokuan nga forcat e Moskës ndaj territorit tonë,” u shpreh forca e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, e cila bëri me dije se kishte arritur të neutralizonte 88 dronë, ndërsa 128 të tjerë nuk kishin mundur të godisnin shënjestrat e tyre dhe nuk kishin shkaktuar dëme.
Përfaqësuesit e dy vendeve në luftë u takuan të premten në Stamboll, e para herë kjo në tri vite që mes tyre mbahen bisedime të drejtpërdrejta, por pa arritur të dakordësohen për një marrëveshje armëpushimi.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




