“Vendbanimet e Korçës”, uorkshop në Universitetin Fan Noli në Korçë

Aktualitet | 1 vit më parë

Departamenti i Historisë dhe i Gjeografisë në Universitetin “Fan Noli” në Korçë ka organizuar uorkshop-in “Vendbanimet e Korçës”, në kuadër të projektit “Studimi i qendrave të banuara në Bashkinë e Korçës: Njësia Administrative Korçë, Qendër Bulgarec, Drenovë dhe Mollaj”.

Në këtë studim është synuar të paraqitet një situatë reale e zhvillimeve demografike, si dhe atyre social-ekonomike të lidhura me kushtet natyrore në të cilat ndodhen këto vendbanime.

Drejtuesja e projektit tregon se problematikat kryesore të këtyre katër njësive administrative janë mungesa e tokave, si dhe përgjysmimi i popullsisë.

“Kryesisht ata kanë problematika që lidhen me mungesën e tokave, të cilat kërkojnë menaxhim më të mirë nga ana institucionale, por edhe nga ana e pronarëve dhe banorëve vendas. Njëkohësisht, një tjetër problem është edhe mungesa e zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë. Ajo që e pengon më shumë është largimi masiv i popullsisë, kryesisht drejt ultësirës perëndimore, por edhe përtej kufijve shqiptarë. Kjo e bën edhe më problematike situatën. Shpeshherë na ka rezultuar që numri i popullsisë banuese gjatë gjithë periudhës së vitit është pothuajse i përgjysmuar, krahasuar me popullsinë e regjistruar në zyrat e gjendjes civile”, tha Ermiona Braholli, pedagoge në Universitetin “Fan Noli”.

Në këtë uorkshop ka referuar edhe prof. Skënder Aliu, i cili, duke përmendur të gjitha monumentet dhe sitet arkeologjike që gjenden në rajonin e Korçës, bëri thirrje për mbrojtjen, por edhe promovimin e tyre.

“Duhet të mbrohen monumentet. Pra, biseda të kësaj natyre duhen të reklamohen.”, tha ai.

Në këtë takim, për të gjithë studentët dhe pedagogët e pranishëm, janë prezantuar të gjitha gjetjet e studimit lidhur me zonën e Korçës, Bulgarecit, Drenovës dhe njësisë Mollaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme