Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, thirrje për ndërgjegjësim dhe solidaritet shoqëror
20 Maji, Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve, një ditë e dedikuar reflektimit, ndërgjegjësimit dhe solidaritetit për fëmijët dhe të rinjtë pa kujdes prindëror. Kjo ditë i rikujton shoqërisë shqiptare përkushtimin dhe përgjegjësinë që ka ndaj një prej shtresave më të ndjeshme të saj.
Me këtë rast, në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH ishte i ftuar Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, i cili theksoi nevojën për përkujdesje të vazhdueshme dhe përfshirje të plotë të këtyre fëmijëve në jetën sociale dhe arsimore të vendit.
“Fëmijët jetimë, në fakt, konsiderohen si fëmijë pa kujdesin prindëror, të cilët kanë disa veçori specifike nga moshatarët e tyre, sepse në rrethana të ndryshme kanë humbur prindërit apo familjen, dhe kjo i obligon institucionet dhe shoqërinë që ta kompensojnë këtë mungesë, që ata ta kenë më të lehtë rrugëtimin e tyre në mirërritjen dhe edukimin, për t’u bërë pjesë e barabartë e shoqërisë dhe bashkëmoshatarëve të tyre. Sfidat e këtyre fëmijëve janë të mëdha dhe ata përballen me ngarkesa emocionale, mungesa materiale etj. Fëmijët pa kujdesin prindëror janë fëmijë jo të ndryshëm nga të tjerët. Janë fëmijë që duan vëmendje, dashuri, kujdes dhe shërbimin që u takon të marrin, që ata të jenë të sigurt, të ndihen pjesë e barabartë dhe pjesë e përjashtuar e shoqërisë”, u shpreh z. Çumani.
Ai nënvizoi se sfidat që përballen këta fëmijë janë të shumta nga mungesa emocionale dhe mbështetja psikologjike, deri te nevojat bazë materiale. Sipas tij, është thelbësore që këta fëmijë të mos përjashtohen, por të përfshihen në mënyrë të barabartë në shoqëri, duke marrë kujdesin, dashurinë dhe shërbimet që u takojnë me të drejtë.
“Angazhimi i institucioneve tona ka qenë dhe është serioz, por një detyrë e veçantë u takon jo vetëm institucioneve, por edhe shoqërisë dhe mjedisit nga rrethohen, të afërmit apo shoqëria, ku një rëndësi të veçantë luan dhe pushteti lokal, sepse janë më afër këtyre personave duke i asistuar me ndihmën sociale. Programet për këto kanë qenë të vazhdueshme por të pamjaftueshme. Janë sfida që kërkojnë angazhime serioze dhe vëmendje institucionale”, tha Çumani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




