Zgjedhja pas Maturës, në Shqipëri apo jashtë vendit? Pedagogia thekson rëndësinë e këshillimit të hershëm për karrierën

Sociale | 1 vit më parë

Përfundimi i shkollës së mesme i vendos maturantët përballë një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës së tyre: ndjekjen e studimeve universitare në Shqipëri apo jashtë saj. Kjo zgjedhje nuk ndikon vetëm në rrugëtimin e tyre arsimor, por edhe në të ardhmen profesionale dhe personale.

E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, pedagogia Majlinda Keta foli mbi sfidat dhe mundësitë që kanë sot të rinjtë shqiptarë. Ajo theksoi se ndonëse sistemi arsimor është përmirësuar dhe ofron më shumë struktura mbështetëse, maturantët ende nuk kanë përfituar plotësisht nga këshillimi profesional.

Ajo vlerësoi gjithashtu zhvillimin e shkollave profesionale në Shqipëri, të cilat ndjekin modele evropiane dhe ofrojnë një alternativë serioze për nxënësit që synojnë tregun e punës, siç janë shkolla e hoteleri-turizmit dhe ato me drejtim ekonomik.

“Duhet të jemi shumë më të kujdesshëm për sistemin arsimor, që këshillimi t’i vijë maturantit në moshë shumë më të hershme. E para dalje e suksesshme e profesionit për secilin prej nesh është ajo kur shkojmë drejt klasës së 6-të”, u shpreh pedagogia Majlinda Keta.

Përkundër paragjykimeve ndaj universiteteve shqiptare, Keta e vlerësoi cilësinë e tyre, duke sjellë shembuj të studentëve shqiptarë që kanë pasur sukses ndërkombëtar.

“Nuk vlen një diplomë në universitete kur ti lufton për notën 5 apo 6. Nuk është më koha që thjesht të kesh një karton. Universitetet shqiptare kanë cilësinë e duhur, sepse ata që kanë shkëlqyer jashtë kanë studiuar në universitet tona”, tha pedagogia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme