Parlamenti i ri me 50 gra në sallë, çfarë ndryshoi nga viti 2021. Ja sa merr PD dhe PS
Opozita humb kuotat e grave në parlament. Nga 21 deputete që kishte në legjislaturën e katër viteve më parë, prej shtatorit, kur të konstituohet parlamenti i ri, do të ketë vetëm 13 zonja nën siglën e vet.
Për opozitën, rrudhja e kuotës gjinore vjen paralelisht me rrudhjen e mandateve në nivel kombëtar. Megjithatë, ka edhe një faktor tjetër që e shkaktoi këtë rënie, humbja e shanseve në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës, ku demokratët mbetën pa asnjë mandat gruaje.
Në të gjitha qarqet e tjera, opozita ka marrë vetëm një vend të sigurtë për gratë në Kuvend, përjashtim bën Tirana, ku fitoi vetëm Jorida Tabaku në listë të hapur dhe 4 gra ishin pozicionuar në listën e sigurtë.
Situata shfaqet ndryshe për socialistët, që në vitin 2021 morën 29 vende të sigurta për deputetet gra në Kuvend. Sot, kur nuk ka më surpriza shifrash, socialistët do të çojnë në shtator në sallën e legjislativit plot 34 deputete gra.
Pavarësisht se në Kukës dhe Lezhë socialistët nuk fituan asnjë mandat për gratë, qarqet e tjera bënë ndryshimin e votave për të majtët. Udhëheq Tirana me 10 deputete gra, më pas Fieri me 5 zonja, Durrësi dhe Elbasani me nga katër, Vlora me 3 dhe Shkodra, Korça, Berati dhe Gjirokastra me nga dy deputete në listat që presin vetëm konfirmimin e KQZ-së.
Por ajo që do të qëndrojë e pandryshuar në Kuvendin e ri është numri total i grave. Ato ishin 50 në Kuvendin e kaluar, dhe duket se do të vazhdojnë të jenë po kaq edhe në Kuvendin e ri, megjithë gratë që hynë nga partitë e reja.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




