Studimi – Shqiptarët përdorin dy herë më shumë kripë, mjekët: Mund të zvogëlonim me 30% goditjet në tru
Shqiptarët konsumojnë kripë dy herë më shumë se normat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Përfundimi është rezultat i një studimi të kryer për herë të parë në një kampion popullate prej 150 personash në dy lagje të Tiranës, të cilëve u është matur natriumi nëpërmjet urinës gjatë 24 orëve.
“Rezultatet ishin të pritshme. Ne konsumojmë 13,8 gramë kripë në 24 orë, që sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe të gjitha shoqatave ndërkombëtare është sa dyfishi i asaj që rekomandohet. OBSH-ja rekomandon jo më shumë se 5 gramë kripë në 24 orë,” thotë Ledio Çollaku, mjek në Klinikën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUNT.
Ky rezultat, sipas mjekëve, ndikon në më shumë njerëz hipertensivë e për pasojë edhe më shumë aksidente kardiovaskulare dhe goditje në tru. Mjekët sjellin shembullin sesi ulja e kripës redukton aksidentet vaskulare.
“Sipas studimeve një ulje me vetëm 5 ml të shtyllës së zhivës së hipertensionit do ta ulte riskun për aksidente kardiovaskulare në tru me 30 për qind të rasteve. Nga ana tjetër është parë që këtë do të realizonim vetëm duke ulur kripën në më pak 5 gramë në ditë,” tregon Dr. Çollaku.
Por cilat janë burimet e kripës në ushqimet tona?
“Rreth 67 për qind të kripës që konsumojmë e marrim nga ushqimet e procesuara dhe të gjysmëprocesuara, që e kanë kripën të shtuar në ushqime të caktuara. 15 për qind të kripës e marrim nga vaktet në restorante dhe fastfude. 13 për qind të kripës e marrim nga sasia e shtuar në shtëpi dhe 4–5% e marrim nga përbërja natyrale e ushqimeve,” thotë Dr. Çollaku.
Mjekët apelojnë: Reduktoni ushqimet e përpunuara, si proshutat, sallamet dhe djathërat, dhe çdo ushqim me kripë të shtuar, për të shmangur sëmundjet.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




