Tuneli i Llogorasë hapet nesër për qarkullimin e automjeteve, Balluku: Pa pagesë deri më 15 shtator

Tuneli i Llogorasë hapet të shtunën (24 maj) për qarkullimin e automjeteve.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Përmes një videomesazhi ajo theksoi se kalimi do të jetë pa pagesë deri më 15 shtator, si dhe kufizimet për mjetet e tonazhit të rëndë.
“Nesër, e shtunë, tuneli do të jetë i aksesueshëm për të gjitha automjetet, për trafikun që vjen dhe shkon në jug të vendit, përveç automjeteve të tonazhit të rëndë. Deri më 15 shtator, me mbështetje të plotë të Ministrisë së Turizmit, e cila tashmë ka filluar të konsolidohet. Kjo tregohet qartë nga numri i njësive të hotelerisë që po hapen në jug të Shqipërisë. Kalimi do të jetë pa pagesë. Duke nisur nga nesër, faciliteti i kalimit në tunel do të jetë i disponueshëm për të gjitha automjetet”, tha ministrja Balluku.
Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë ka nisur më 14 nëntor të vitit 2021.
Tuneli shkurton distancën drejt bregdetit të jugut dhe i shërben sezonit turistik. Ky tunel nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 5.9 km, me një shpejtësi 50–80 km/orë, kjo rrugë do të përshkohej për 7–10 minuta.
Tuneli kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës. Ai është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, ndërsa tuneli ndihmës lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 prej të cilave janë dalje për automjete, ndërkohë 6 të tjerat janë për aksesin e këmbësorëve.
Lartësia e tunelit kryesor është 4.7 m ndërkohë që gjerësia e gjithë rrugës 7.7 m. 1.7 m janë të vendosura si trotuar për të gjitha rastet e emergjencës, siç parashikohet në Kodin e Sigurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



