GJKKO dënon një grup të strukturuar kriminal, trafikonin lëndë narkotike deri në Norvegji

Aktualitet | 1 vit më parë

Pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal morën të premten gjykimin final për akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.

Flori Pali dhe Fredi Pali, të akuzuar si pjesë e një grupi që e shtrinte aktivitetin e vet kriminal nga Shqipëria në Norvegji, u deklaruan fajtorë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Flori Pali u dënua me 11 vjet burgim për veprat si: prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Fredi Pali u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim. Me 6 vjet e 8 muaj burgim u dënua edhe shtetasja Anita Adilaj Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të provave materiale të 3 aparateve celularë, një automjet, dhe një pasuri të paluajtshme me sipërfaqe 1.874 m², e cila ndodhet në Ishull Shëngjin.

Procedimi ndaj dy të pandehurve filloi që në vitin 2019 dhe gjykimi i tyre është zhvilluar në mungesë. Hetimet u kryen në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Norvegjisë.

Nga hetimi dhe gjykimi është evidentuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal i dedikuar në fushën e trafikimit, shitjes, ofrimit për shitje, dhënies ose marrjes në çdo formë, shpërndarjes, tregtimit, transportimit, dërgimit, dorëzimit dhe mbajtjes së narkotikëve, si dhe në pastrimin e produkteve të veprës penale para vitit 2018 dhe deri në vitin 2019, në përbërje të të cilit spikasin shtetas shqiptarë rezident apo jo në Norvegji.

I pandehuri Flori Pali në cilësinë e një organizatori të një grupi të strukturuar kriminal gjatë periudhës kohore, janar 2018 deri në qershor 2019, në bashkëpunim me të pandehurit e dënuar në Mbretërinë e Norvegjisë, Halit Xhini dhe Steven Cooper, si dhe një rrjeti shpërndarësish të paidentifikuar, në mënyrë të kundërligjshme, ka drejtuar trafikimin për në Norvegji, ruajtjen, shitjen dhe shpërndarjen në mënyrë të kundërligjshme në Stavanger të Norvegjisë të të paktën 4 kg kokainë dhe 10 kg marijuanë, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme nga kjo veprimtari e kundërligjshme.

I pandehuri Flori Pali duke qenë në rolin e një drejtuesi të grupit të strukturuar kriminal, ka organizuar transferimin e sasive të konsiderueshme parash nga Norvegjia për në Shqipëri, para vitit 2018, ashtu dhe pas këtij viti me ndihmën e një rrjeti personash. Këto para transferoheshin ose nëpërmjet shoqërive të ndryshme financiare, ose silleshin “cash” nga shtetas të ndryshëm, ku më pas menaxhoheshin nga i bashkëpandehuri Fredi Pali.

E pandehura Anita Adilaj në vazhdimësi është e përfshirë në tregtinë e drogës në Stavanger të Norvegjisë, si dhe ka patur një rol kyç edhe sa i takon dërgimit të parave nga Norvegjia në Shqipëri, para këto të nxjerra nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në Norvegji nga grupi i strukturuar kriminal.

E pandehura Adilaj ka luajtur rolin e llogaritares së të dënuarit në Norvegji, bashkëjetuesit të saj Halit Xhini, në lidhje me paratë që i dërgoheshin të pandehurit Flori Pali dhe detyrimet që kishin ndaj tij.

I pandehuri Fredi Pali ka luajtur rolin e menaxhuesit të parave apo pasurive të fshehura të të pandehurit Flori Pali, në lidhje me paratë e dërguar nga anëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal apo shtetas të tjerë nga Norvegjia. I pandehuri Fredi Pali, vëllai i të pandehurit Flori Pali, ka kryer një rol të rëndësishëm në ciklin e qarkullimit të parasë me qëllim humbjen e gjurmëve dhe fshehjen e tyre.

Më datë 08.05.2023 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sør-Rogaland, Norvegji, ka deklaruar fajtor dhe dënuar me burgim anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal; Halit Xhini dhe Steven Cooper për vepra penale në lidhje me narkotikët dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme