Begaj takim me ‘Bijtë e shqipes’ në SHBA, presidenti: Keni mbajtur gjallë elementët shqiptarë

Politikë | 1 vit më parë

Presidentit të vendit Bajram Begaj iu rezervua një pritje e përzemërt nga komuniteti shqiptar në Philadelpia, ndërsa ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton.  

Në nder të Presidentit Begaj, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” organizoi një ceremoni të posaçme me nxënësit e shkollës “Gjuha Jonë”.

Gjatë fjalës në këtë takim, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e Diasporës shqiptare që nga fundi i shekullit XIX në jetën publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe veprimtarinë ndër breza për ruajtjen e identitet shqiptar.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit risolli në vëmendje rrugëtimin e Diasporës duke veçuar aktivizimin e atdhetarëve të cilët i dhanë jetë çështjes shqiptare përmes institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe  kulturore të Amerikës.

Gjithashtu, Begaj vlerësoi edhe iniciativat e shqiptarëve për ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit me synim integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar.  

  • “Falë vlerave dhe standardeve demokratike të vendit që ju keni zgjedhur si atdhe të dytë, në këtë vend kampion të demokracisë dhe respektit të të drejtave të njeriut, shqiptarët e besimit ortodoks, katolik dhe mysliman ndërtuan objektet e tyre shqipfolëse të kultit, të cilat u bënë qendra jo vetëm fetare, por edhe kulturore e arsimore”, është shprehur Begaj.

    Veç vlerësimit të Diasporës së hershme, Presidenti Begaj theksoi dhe kontributin e shqiptarëve që emigruan më vonë, pas rënies së regjimit komunist, të cilët, sipas tij, i dhanë një hov të ri komunitetit shqiptar duke rritur numrin e organizatave, shkollave shqipe dhe bizneseve.

    Siç theksoi Presidenti Begaj, përballë sfidave ata kanë bërë përpjekje për ngritjen e qendrave shumëdimensionale për ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturor dhe gjuhësor: “Pikërisht në këtë shtet, në këtë mjedis multikulturor, shkolla “Bijtë e Shqipes” ndihmon në parandalimin e asimilimit të plotë të brezave të rinj, duke mbajtur gjallë elementet shqiptare në jetën tuaj të përditshme. Unë jam i ndërgjegjshëm se sfidat tuaja për të mbajtur hapur e funksionuar shkolla shqipe janë të shumta. Ato lidhen me sigurimin e fondeve të mjaftueshme e të domosdoshme, me konkurrencën me sistemin shkollor amerikan, me vështirësitë në sigurimin e mësuesve të kualifikuar dhe materialeve mësimore cilësore në gjuhën shqipe, apo dhe me motivimin e prindërve dhe nxënësve për të vijuar mësimin në mënyrë të rregullt”.

    Gjatë qëndrimit në Philadelpia, Presidenti i Republikës vizitoi edhe Kishën Ortodokse të Shën Gjergjit, një nga kishat më të hershme ortodokse shqiptare në SHBA, si dhe shtypshkronjën e parë shqiptare, që administrohet nga gratë sipërmarrëse.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme