Shkodra Elektronike kthehet në RTSH pas Eurovizionit: “Zjermin” e krijuam për të tjerët, por folëm për veten

Pas suksesit në Eurovizion 2025, Shkodra Elektronike është rikthyer në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, ku pesë muaj më parë do të rrëmbenin edhe trofeun e Festivalit të Këngës.
Në një program special pas sfidës ndërkombëtare muzikore në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca ndanë me publikun rrugëtimin e tyre, jehonën ndërkombëtare dhe planet e projektet për të ardhmen pas Eurovizionit.
Në sallën e Orkestrës Simfonike të RTSH, dy artistët u paraqitën entuziastë, duke zbuluar se sukseset e tyre vijojnë tanimë të përkthyera edhe si punë konkrete me një album dhe klipe të reja muzikore.
“S’kena fjetur,” ishin fjalët e para të Beatriçes, teksa u prit me një buqetë me lule nga moderatori i programit, Ermal Peçi.
“Jam e gëzuar. Nuk mund të dal prej derës së shtëpisë se njerëzit duan të bëjnë fotografi. Pas dy javësh me make-up kam filluar të mos vë make-up, duke besuar që njerëzit s’do më njohin, por më njohin prej flokëve,” tha ajo.
Për Kolën, paraqitja e tyre në Eurovizion ishte një e papritur e madhe, ashtu si fitorja e vitit të kaluar në Festivalin e RTSH.
“Jeta nuk është se ka ndryshuar nga njëra anë. Nga ana tjetër, tani është fakti që duhet të rrimë mbrapa një makine që nuk kemi qenë të përgatitur ta lëvizim, si Formula 1. Kemi pasur një makinë për të shkuar e për të blerë dy-tre gjëra. Por kjo makinë e re po bën xhiro të mëdha dhe duhet t’i rrimë mbrapa,” tha artisti nga Shkodra.
“Zjermi” ishte një befasi kur u dëgjua për herë të parë nga publiku vendas dhe me kalimin e muajve la një vulë edhe në memorien e muzikëdashësve për motivet sa etnike dhe tribale, aq edhe moderne e mbresëlënëse.
“Kënga jonë na pëlqen shumë si të tërë autorëve që shkruajnë këngët e veta. Por gjëja më e bukur që ka ndodhur është se njerëzit e kanë dashur. E kanë kuptuar. Kjo sot hala më bën të emocionohem. Kemi krijuar një gjë që flet për njerëz të tjerë, por ne kemi folur për veten,” u shpreh Beatriçja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




