Fenerbahçe shpallet kampione e Euroligës

Fenerbahçe është kampione e re e Euroligës së basketbollit teksa ka mundur Monaco 70-81 ne finale. Kjo është hera e dytë në historinë e klubit që skuadra turke e fiton këtë kompeticion duke u rikthyer tek titulli që prej 2017.
Ndeshja nisi me një ritëm shumë të shpejtë e imponuar nga Monaco dhe menjëherë francezët morën avantazhin me 9 pikë, por skuadra turke arrin të kalojë në avantazh 21-20. Më tej Monaco kalon sërish në 9 pikë diferencë por edhe një herë Fenerbahce kalon përpara me 2 pikë ku dhe mbyllet pjesa e parë 33-35.
Perioda e tretë nis me Fenerbahçen më të kujdesshme në mbrojtje dhe arrin ta mbajnë avantazhin konstant pa rrezikur për shumë minuta, madje duke prekur deri në 13 pikë diferencë. Në periodën e katërt dy momente me anë të Strazel bëjnë që Monaco ta ulë diferencën në 7 pikë.
Por do të jetë trepikëshi i Guduric që do e kalojë në 10 pikë avantazhin e Fenerbahçes e më pas në 1 minutë nga fundi nuk ka më histori. MVP i finales zgjidhet Hays Davis teksa shënoi 23 pikë, ndërsa kupën e ngre pikërisht Guduric.
Para finales u zhvillua edhe ndeshja për vendin e 3 dhe të 4 mes dy skuadrave greke të cilat parashikoheshin për në finalen e madhe. Olimpiakos fitoi 97-93 përballë Panathinaikos, por pavarësisht rezultatit skuadrat u impenjuan pak dhe trajnerët përdorën rotacion të thellë.
Mbyllet kështu një sezon tjetër në Euroligë i trasmetuar për çdo javë në RTSH Sport tashmë që prej 2014 dhe organizimi në Abu Dabi rezultoi një sukses. Fenerbahçe kampione dhe skuadrat e tjera të Euroligës do ta nisin sezonin e ardhshëm në tetor, një ekskluzivitet që vijon në ekranin e RTSH.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




