Helmimi në kopshtin e Gramshit, shkojnë në 17 rastet me infektim nga salmonela

Sociale | 1 vit më parë

Ka shkuar në 17 numri i të infektuarve me salmonelë në kopshtin publik nr. 1 të Gramshit, ku përfshihen fëmijë dhe stafi i këtij institucioni.

Nga 79 mostrat e analizuara, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitive me “Salmonella Enteritidis”, ndërsa vijon hetimi epidemiologjik edhe për 6 mostrat e mbetura. Sipas autoriteteve të shëndetit publik, tipi i zbuluar në ngarkesën bakteriale të mostrave është e lidhur me mishin e pulës dhe vezët.

Në të tilla kushte, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Gramsh ka kërkuar nga të gjitha qendrat shëndetësore të raportojnë çdo rast të dyshuar të fëmijëve që paraqitet pranë tyre.

Helmimi i fëmijëve të kopshtit shtetëror në Gramsh po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit, ndërsa është e paqartë nëse bakteri i salmonelës është marrë nga ushqimi, uji apo kemi të bëjmë me një mikrob që është transmetuar nga një person i infektuar.

Sakaq kopshti vijon të jetë i mbyllur. Ditën e hënë është paralajmëruar edhe një protestë nga prindërit e fëmijëve të sëmurë.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme