Pas Kukësit, PD ankimon në KAS rezultatin e zgjedhjeve edhe për Qarkun Berat
Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) ka ankimuar pranë Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke kundërshtuar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit në Qarkun Berat. Ky është ankimimi i dytë i opozitës, pas atij për Qarkun Kukës.
Në ankesën e depozituar në KAS, PD-ASHM pretendon se rezultati i shpallur nga KQZ dëmton interesat e koalicionit të tyre, duke theksuar se ka në dispozicion prova për parregullsi serioze në të gjitha qendrat e votimit të qarkut.
Sipas PD-ASHM, procesi zgjedhor në Berat është ndikuar ndjeshëm nga përdorimi i strukturave shtetërore dhe administratës publike në favor të Partisë Socialiste. PD-ASHM shkruan se përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale dhe punësimet në administratë janë përdorur si “shpërblim” për vota.
“Në Qarkun Berat, përdorimi i administratës publike dhe shtetërore si “makineri elektorale” ne favor të “Partisë-Shtet”, ka qenë i përhapur dhe tejet intensiv, duke krijuar një mjedis krejtësisht të pabarabartë, jo-transparent dhe diskriminues ndaj opozitës. Së pari, institucionet që duhet të jenë neutrale në procesin zgjedhor, duke nisur nga administrata e bashkive deri te agjencitë, entet deri ndërmarrjet publike e shtetërore janë mobilizuar në funksion të partisë në pushtet. Në Berat makineria administratës nisi aksionin qysh në muajin Janar, me fushatën e regjistrimit të diasporës, ku kontaktonin çdo person, përfshirë edhe pensioniste që jetojnë në emigrim prej dekadash. Askush nuk di si kanë arritur t’i gjejnë numrat e tyre të telefonit, por e sigurt që për muaj me radhë qytetarët e Bashkisë dhe Qarkut Berat nuk kanë marrë shërbimin e duhur nga administrata publike dhe vendore.
Gjatë fushatës janë raportuar raste konkrete të intimidimit dhe presion ndaj votuesve, janë përdor burimet shtetërore dhe klientelizmi, ku “shpërndarja e ndihmave sociale, emërimet e aprovuara nga pushteti lokal dhe investimet në infrastrukturë janë perceptuar si “monedhë këmbimi“ për vota. Këto problematika janë një cenim serioz i integritetit të procesit zgjedhor dhe ndikon drejtpërdrejtë në vlefshmërinë e tij”, thuhet në ankimim.
Një ndër shqetësimet kryesore të ngritura është procesi i votimit të diasporës, të cilin opozita e cilëson si “thembrën e Akilit” të gjithë procesit.
“Në Berat, përfaqësues të opozitës denoncuan praninë e drejtuesve të institucioneve publike, si drejtorë shkollash, të hipotekës, tatimeve, KESH, Ujësjellësit etj., pranë qendrave të votimit. Këta individë, të cilët janë pjesë e administratës, akuzohen për ushtrim presioni ndaj votuesve në favor të Partisë Socialiste. Ky veprim është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilat ndalojnë praninë e personave të paautorizuar brenda një perimetri prej 150 metrash nga qendrat e votimit.
Në të 5 bashkitë e qarkut, u raportua për një sistem të organizuar të patronazhistëve, të cilët shoqëronin votuesit deri pranë qendrave të votimit, duke ndikuar në mënyrë të paligjshme mbi vullnetin e tyre. Ky fenomen është një vazhdimësi e praktikave të mëparshme, ku individë të lidhur me Partinë Socialiste monitoronin dhe kontrollonin preferencat politike të qytetarëve, duke cenuar lirinë e votës.
Pavarësisht denoncimeve dhe raportimeve të shumta për parregullsi dhe shkelje të ligjit, reagimi i institucioneve përgjegjëse, si KQZ dhe organet e rendit ka qenë i vakët. Mungesa e ndërhyrjes së menjëhershme dhe e masave ndëshkuese ka ngritur dyshime mbi paanshmërinë dhe efektivitetin e këtyre institucioneve në garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe transparent”, thuhet në ankimimin e PD-ASHM.
Në qarkun e Beratit, PD-ASHM ka marrë brenda vendit 19486 vota ose 30.47 % dhe 1409 vota nga diaspora ose 11.08 %.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




