Rama: Mbështesin pa ekuivok SPAK, do jemi mburojë e pathyeshme e institucioneve të drejtësisë

Kryeministri Edi Rama ka garantuar mbrojtje për institucionet e drejtësisë në vend. Gjatë takimit me deputetët e Partisë Socialiste që morën mandat në zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se kjo forcë politike do të mbështesë “pa ekuivok” SPAK dhe se do të jetë “murojë e pathyeshme” për institucionet e drejtësisë.
Edhe pse deklaroi se ka një sërë problematikash me vendimet e gjyqësorit në vend, Rama theksoi se megjithatë, pavarësia e sistemit të drejtësisë është e vetmja rrugë për të ndërtuar një shtet të së drejtës.
“Ne nuk korrigjojmë dot gafat dhje poshtërsitë që akoma ndodhin në dëm të njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve. Sot kemi humbur një gjyq në apel ku i kërkohet shtetit të paguajnë 500 mijë euro për një përplasje me makinë përpara nja 8 vjetësh në një rrugë ku nuk ka patur, lavdi Zotit, as të vdekur as të plagosur, dhe ku shoferi me bashkë-shoferen kanë patur vizionin të hedhin shtetin në gjyq si rezultat i përplasjes me makinë dhe rrezikun për jetën. Ndërkohë që janë flagrante rastet që ne presim apelin e apelit, ky vendim është marrë me shpejtësi të rrufeshme brenda një dite. Pra as për shtetin ne nuk i korrigjojmë dot gafat, apo poshtërisë që ndodhin akoma në sallat e gjyqeve.
Nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushtetit gjyqësor, por ama kemi në dorë dy gjëra shumë të rëndësishme për fatin e drejtësisë në Shqipërinë 2030 dhe pastaj më tutje, e para të udhëheqim me forcën e shembullit duke qenë sa më të drejtë ne dhe e dyta të jemi mburojë e pathyeshme e institucioneve të drejtësisë, duke filluar nga SPAK, që ne do të vazhdojmë ta mbështesim pa ekuivok sepse, pavarësisht gjërave që nuk shkojnë, mësimi nga historia e tyre që ja kanë dalë në luftërat dhe betejat për të ndërtuar shtete të së drejtës është që nuk ka një rrugë tjetër. Pavarësia e drejtësisë dhe mbrojta e saj me çdo kosto është e vetmja rrugë dhe ne do qëndrojmë të palëkundur në të vetmen rrugë”, theksoi kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



