Rritet numri i turistëve në Katund të Vjetër, fshati në Mirditë po tërheq shumë vizitorë të huaj
Pranvera me mot të ngrohtë dhe me diell ka rritur numrin e turistëve në Katundin e Vjetër, një fshat piktoresk i vendosur vetëm 6 kilometra larg Rrugës së Kombit, në bashkinë Mirditë.
Zona po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, jo vetëm vendas, por edhe të huaj të pasionuar pas natyrës, traditës dhe historisë që mbart ky fshat i lashtë.
“Këtë vend e kemi gjetur në internet dhe po na pëlqen shumë. Natyre është e mrekullueshme. Ke mundësi të ecësh në natyre. Unë dua të vlerësoj dhe mikpritjen këtu. Njerëzit janë shumë miqësor dhe të dashur. Këto ditë që po kaloj këtu janë fantastike dhe është e sigurte që do të rikthehem sërish“, u shpreh një turiste.
“Ja vlen që të kalosh disa ditë këtu në Katund të Vjetër, pasi qenka një vend i mrekullueshëm. Krahas bukurive edhe ushqimi është shumë i shijshëm. Unë kam shëtitur në shumë vende të botes, por zona si kjo nuk ka arritur të shoh dhe ta shijoj kaq shumë“, tha një turiste tjetër.
Sipas operatorëve turistikë lokalë dhe banorëve të zonës, prenotimet për këtë sezon janë mjaft të kënaqshme. Megjithatë, ata theksojnë nevojën për më shumë investime, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të rrjetit elektrik, në mënyrë që potenciali turistik i zonës të shfrytëzohet plotësisht.
“Prenotimet janë të shumta sidomos nga turist të vendeve të ulëta. Këtë vit është shtuar dhe një muaj më shumë sepse çdo vit ka vazhduar në maj ndërsa këtë vit ka filluar në prill”, u shpreh Bajron Nikolli, operator turistik.
Sipas të dhënave zyrtare, në bashkinë Mirditë regjistrohen deri në 70 mijë vizitorë në vit, ku pjesa më e madhe e tyre zgjedhin të vizitojnë Katundin e Vjetër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




