Gonzato: Koha për një reformë zgjedhore që të përfshijë rekomandimet e OSBE-ODIHR
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato ka kërkuar miratimin e një reforme gjithëpërfshirëse zgjedhore, që të përfshijë të gjitha rekomandimet e bëra deri më tani nga OSBE-ODIHR. Në një deklaratë për mediat, Gonzato tha se një reformë e tillë është e domosdoshme edhe për anëtarësimin e vendit në BE.
“Ka pasur një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli dhe është një element që e dua ta përmend, siç ka thënë edhe përfaqësuesja e lartë Kallas, është koha që qeveria dhe Parlamenti të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara dhe të tashme nga OSBE-ODIHR. Dhe në fakt edhe në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, është një rezultat që i jep një përgjegjësi shumë të madhe qeverisë shqiptare që të kryej një reformë kaq të gjerë sepse i ka numrat dhe është edhe pritshmëria e shqiptarëve, duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u bërë pjesë e BE”, tha Gonzato.
I pyetur nëse zgjedhjet e 11 majit i përmbushën standardet, Gonzato tha se një përgjigje e tillë duhet lexuar te raporti i OSBE-ODIHR. Ai vlerësoi administrimin e procesit nga KQZ-ja dhe bashkëpunimin e këtij institucioni me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
“Nuk më takon mua ta them, keni një raport të OSBE-ODIHR që ju jep përfundime si kanë qenë këto zgjedhje, ndërkohë që i kanë njohur me standarde, por janë përmendur edhe çështje siç ka qenë përdorimi i burimeve publike, por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar. Ndaj e vendos theksin që kjo është diçka që duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Do të doja të përgëzoja shumë KQZ për mënyrën e administrimit të zgjedhjeve, bashkëpunimin që pati me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme që ishte një bashkëpunim ekzemplarë”, deklaroi ambasadori i BE.
Ndalur te qëndrimi i opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, Gonzato tha se çdo parti ka të drejtë të denoncojë te autoritete përkatëse parregullsitë e pretenduara, por theksoi se pret që partitë politike në vend të punojnë bashkërisht për integrimin e vendit në BE.
“Është mirë që partitë që mendojnë se kishte parregullsi t’i raportojnë te organet përkatëse, kështu duhet bërë. Por shpresoj që të dyja partitë, duke qenë se kanë theksuar dedikimi e tyre ndaj anëtarësimit, do punojnë realisht në këtë drejtim”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




