Vizat studentore në pritje – SHBA ndalon takimet në ambasada, urdhër për kontrolle të zgjeruara në rrjetet sociale

Botë | 1 vit më parë

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar ambasadat të ndalojnë caktimin e takimeve për viza studentore, ndërsa përgatitet të zgjerojë verifikimin e aplikantëve të tillë në mediet sociale.

Në një kopje të një memorandumi dërguar posteve diplomatike, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se pauza do të zgjasë deri në një udhëzim të mëtejshëm.

Në mesazh thuhej se verifikimi i medieve sociale do të rritej për vizat studentore dhe ato për shkëmbime kulturore, gjë që do të kishte “implikime të rëndësishme” për ambasadat dhe konsullatat.

Urdhri i presidentit Trump vjen në mes të grindjes së tij me disa nga kolegjet më elitare të Amerikës, të cilat ai i beson se janë shumë të majta në bindje. Ai thotë se disa prej tyre kanë mundësuar antisemitizmin në kampus dhe mbështesin politikat diskriminuese të pranimit.

Memorandumi i Departamentit të Shtetit u drejtohej ambasadave amerikane që të hiqnin çdo takim të paplotësuar nga kalendarët e tyre për studentët që kërkojnë viza.

Studentët e huaj që duan të studiojnë në SHBA zakonisht duhet të caktojnë intervista në një ambasadë amerikane në vendin e tyre të origjinës përpara miratimit.

Shumë institucione mbështeten te studentët e huaj për një pjesë të konsiderueshme të financimit të tyre, pasi ata shpesh paguajnë tarifa më të larta shkollimi.

Kur u pyet për vizat studentore, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, u tha gazetarëve të martën: “Ne e marrim shumë seriozisht procesin e verifikimit të atyre që hyjnë në vend dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.“

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme