BERZH mbështet Shqipërinë me 900 mln euro për integrimin në BE. Sejko: Ndihma shtetërore të fokusohet te firmat me potencial të lartë

Ekonomi | 1 vit më parë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim së bashku me Bankën e Shqipërisë kanë prezantuar Raportin e Tranzicionit për vendin tonë, “Riformulimi i politikave industriale në një peizazh global që ndryshon“, përfshirë edhe objektivat strategjike.

Drejtoresha e zyrës së BERZH-it, Ekaterina Solovova, theksoi se në strategjinë 5-vjeçare të miratuar nga Bordi i institucionit është parashikuar financimi 900 milionë euro për Shqipërinë, përveç asistencës teknike.

“Kjo synon të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prioritetet e strategjisë sonë për vendin janë tërësisht të harmonizuara me strategjinë globale të BERZH që përmenda më lart, ndërkohë që janë përshtatur me prioritetet dhe nevojat të Shqipërisë. Prioriteti i parë është përshpejtimi i kalimit drejt ekonomisë së gjelbër, do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj për të diversifikuar burimet e energjisë së rinovueshme”, tha Solovova.

Solovova vuri në dukje se asistenca e BERZH përfshin financim në politikëbërje, financim të “kapaciteteve të rinovueshme, si dhe përmirësimin e zgjerimin e rrjeteve të transportit dhe shpërndarjes së energjisë”.

Sipas saj, një prioritete e BERZH-it është i harmonizuar me planet e Shqipërisë për t’u integruar në BE për të ndihmuar sektorin privat për të pasur sukses në tregun evropian si dhe “për të rritur si financimin direkt ashtu edhe atë indirekt për të përmirësuar konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe integrimin e bizneseve vendase në zinxhir e tregut global”

“Kjo përfshin asistencë në politikëbërje, financim të kapaciteteve të rinovueshme, ashtu si dhe përmirësimin e zgjerimin e rrjeteve të transportit dhe shpërndarjes së energjisë.

Do të intensifikohen përpjekjet për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe rezistecën në të gjithë ekonominë, duke promovuar masa për efikasitetin energjetik në shërbimet publike.

Do të mbështesim institucionet financiare partnere dhe klientët e sektorit privat në ndërtimin e kapaciteteve. Prioriteti ynë i dytë i harmonizuar me planet e Shqipërinë në BE synon të ndihmojë sektorin privat për të pasur sukses në tregun evropian për të rritur si financimin direkt ashtu edhe atë indirekt për të përmirësuar konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe integrimin e bizneseve vendase në zinxhir e tregut global”, theksoi Solovova.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Sejko: Sot përballemi me një realitet global krejtësisht të ndryshëm

Duke u fokusuar te tema qendrore e Raportit të këtij viti nga BERZH-i, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ai për më shumë se dy dekada, në Shqipëri dhe në rajon, i është dhënë përparësi reformave strukturore që ndërtojnë institucione të forta, përmirësojnë klimën e biznesit dhe krijojnë një ekonomi të hapur dhe konkurruese.

Këto reforma kanë kontribuar në një rritje ekonomike mesatare prej 3.5-4% në vit gjatë pesë viteve të fundit, ulje të papunësisë në 11.3% në 2024 dhe një rritje të konsumit privat me 7%. Këto reforma kanë qenë dhe mbeten thelbësore, por nuk janë më të mjaftueshme. Guvernatori Sejko theksoi se tensionet gjeopolitike kanë shkaktuar një rritje prej 30% në koston e zinxhirëve globalë të furnizimit që nga 2020.

“Së pari, duhet të kuptojmë se politikat industriale sot nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e industrive të vjetra, por me nxitjen e sektorëve të së ardhmes— atyre që mund të rriten, të shkallëzohen dhe të krijojnë vlerë të qëndrueshme. Për shumë vende të BERZH-it, përfshirë Shqipërinë, rruga drejt rritjes përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Në vend të saj, po shfaqet një mundësi e re: eksporti i shërbimeve të digjitalizuara dhe të tregtueshme ndërkombëtarisht. Këto “shërbime të inovacionit global” — si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave — janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale. Disa ekonomi të Evropës Qendrore dhe Lindore tashmë janë bërë eksportuese lider në fushën e shërbimeve kompjuterike. Edhe Shqipëria ka potencialin ta ndjekë këtë rrugë.

Së dyti, politikat që ndërmarrim duhet të jenë të harmonizuara me procesin e integrimit evropian. Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, me 70% të tregtisë të orientuar drejt BE-së, Shqipëria ka më shumë për të fituar, duke ecur drejt konvergjencës me Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, anëtarësimi në SEPA na afron me tregjet evropiane dhe redukton kostot e transaksioneve ndërkombëtare me 30%.

Së treti, duhet të garantojmë përfshirje dhe qëndrueshmëri. Politikat industriale nuk duhet të fokusohen vetëm te sektorët ku kemi potencial për të fituar në tregjet globale, por edhe te ata që janë jetikë për punësimin dhe kohezionin social brenda vendit. Ato duhet të mbështeten nga politika vendore të përshtatura për kontekste specifike — si zonat ekonomike të veçanta — duhet të dizenjohen me kujdes, duke theksuar karakteristikat specifike lokale e rajonale.

Së katërti, ndihma shtetërore duhet të fokusohet te firmat me potencial të lartë. Të dhënat tregojnë se firmat e reja dhe dinamike janë nxitëset kryesore të punësimit dhe inovacionit. Politika të orientuara për stimulimin e tyre, të tilla: si garancitë e kredive, huatë me interesa të subvencionuara apo fondet e kapitalit sipërmarrës të mbështetura nga shteti, mund të sjellin një ndryshim të madh,” u shpreh Sejko.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme