Izraeli njofton zgjerim të vendbanimeve në Bregun Perëndimor 

Botë | 1 vit më parë

Izraeli ka njoftuar zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas autoriteteve izraelite do të ndërtohen 22 vendbanime të reja hebraike, zgjerimi më i madh në dekada i ndodhur në Bregun Perëndimor.

Vendbanimet, që shihen gjerësisht si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, janë një nga çështjet më të diskutueshme midis Izraelit dhe palestinezëve.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, u shpreh se ky veprim “parandalon krijimin e një shteti palestinez që do të rrezikonte Izraelin”, ndërsa presidenca palestineze e quajti atë një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Organizata izraelite kundër ndërtimit të këtyre vendbanimeve, Peace Now, e quajti atë “lëvizjen më të gjerë të këtij lloji” në më shumë se 30 vjet dhe paralajmëroi se kjo do të “riformësonte në mënyrë dramatike Bregun Perëndimor dhe do ta forconte pushtimin edhe më tej”.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime ku banojnë rreth 700,000 hebrenj që kur pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, tokë që palestinezët e duan, së bashku me Gazën, për shtetin e tyre të ardhshëm, që prej 1967.

Një zëdhënës i Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor që nuk janë nën kontrollin e plotë të Izraelit, e quajti atë një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe akuzoi Izraelin se po vazhdon ta tërheqë rajonin në një “cikël dhune dhe paqëndrueshmërie”.

Qeveritë e njëpasnjëshme izraelite kanë lejuar rritjen e vendbanimeve. Megjithatë, zgjerimi është rritur ndjeshëm që kur kryeministri Benjamin Netanyahu u rikthye në pushtet në fund të vitit 2022.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme