“Revanshi i ashpër i shqiptarëve”, Vuçiq: Kanë mbështetjen perëndimore për njohjen e Kosovës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se së shpejti ai do të bëjë të njohur rezultate befasuese për sa i përket pozicionit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, kreu i shtetit preku tema të ndryshme, nga politika e brendshme te integrimi në BE, nga projektet dhjetëravjeçare te pensionet dhe zhvillimet rajonale.
Duke u ndalur te kjo e fundit, z. Vuçiq ngriti shqetësimin për “revanshin e ashpër të shqiptarëve” për njohjen e Kosovës së pavarur. Sipas tij, kjo po realizohet me ndihmën e fuqive perëndimore dhe Turqisë, dhe Serbia po përpiqet ta ndalë.
“Është tepër e vështirë t’i kundërvihemi kësaj. Nuk kemi paratë që ata kanë, as armët dhe burimet që ata dërgojnë nëpër botë për të blerë votën apo njohjen ndaj dikush.
Për sa i përket integritetit territorial dhe vendeve që e njohin apo nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, qytetarët tanë e kanë të vështirë dhe ne po mundohemi të ndihmojmë. Po bëjmë gjithçka mundemi,” tha presidenti serb.
Për sa i përket incidenteve në Kosovë, që Beogradi pretendon se kanë në shënjestër komunitetin serb në tokën shqiptare, ai kritikoi ndërkombëtarët për “heshtjen e zëshme”.
“Ata heshtin, sepse shpresojnë që në heshtje, populli serb do të nxirret nga shtëpitë qindravjeçare që ka në Kosovë. Në të njëjtën kohë kjo po shkakton tension mes aktorëve politikë në Perëndim dhe Lindje, duke ia shtuar nervozizmin [Albin] Kurtit. Në njëfarë mënyre duhet të përfitojmë nga kjo,” tha presidenti Vuçiq. /RTS
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





