Trashëgimia e Devollit/Sazet e Vjetra Devollite në aktivitetin e Ditës së Trashëgimisë

Kulturë | 50 minuta më parë

Tradita dhe trashëgimia kulturore e Devollit janë sjellë në vëmendje në Ditën e Trashëgimisë Kombëtare. Bashkia Devoll organizoi një aktivitet ku u prezantuan veshjet tradicionale, artizanati, kulinaria, këngët dhe vallet folklorike të zonës.

Risia e këtij viti ishte pjesëmarrja e Sazeve të Vjetra Devollite, që sollën tingujt autentikë të muzikës tradicionale.

“Përveçse është një ditë feste, kemi dashur të shprehim mirënjohjen edhe ndaj personaliteteve që kanë dhënë kontribute të çmuara në Devoll, në art, kulturë, arsim, shkencë dhe në shumë fusha të tjera”, u shpreh Elona Uzhuri, Drejtore e Kulturës, Trashëgimisë dhe Turizmit.

Në qendër të aktivitetit ishte edhe vallja devolliçe, një prej elementëve më të rëndësishëm të identitetit kulturor të kësaj treve. Koreografi Sokol Ceka thotë se kjo valle përcjell mënyrën e jetesës dhe karakterin e devollinjve.

“Vallja e Devolliçes është tepër e rëndësishme jo vetëm për Devollin, sepse tregon vlerat e tij. Aty pasqyrohet e gjithë jeta e devollinjve: puna, djersa dhe dituria e tyre. Por ajo është edhe një vlerë dhe aset i veçantë për të gjithë Shqipërinë”, tha koreografi, Sokol Ceka.

Trashëgimia u përcoll edhe përmes brezit të ri. Nxënësit prezantuan punime artizanale të trashëguara nga gjyshet dhe nënat, ndërsa gatimet tradicionale sollën shijet karakteristike të Devollit.

Përtej festës, aktiviteti ka përcjellë edhe një mesazh për ruajtjen e kësaj pasurie kulturore dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme