Qeveria shpall “Qendër Historike” fshatin Vuno, miratohet plani i ri për ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë kulturore

Kulturë | 52 minuta më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nr. 731, datë 25.9.2026, për deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme “Qendër historike” të fshatit Vuno, si dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj. Ky vendim shoqërohet me planin e plotë për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj hapësire urbane tradicionale, ndërsa shfuqizon vendimin e mëparshëm nr. 30, datë 20.1.2016.

Sipas dokumentit zyrtar, hapësira urbane në mbrojtje ndahet në dy kategori kryesore: “Qendra historike” dhe zona mbrojtëse përreth saj. Vetë “Qendra historike” përbëhet nga dy zona të veçanta:

  • Zona I, e cila përfshin ndërtimet në të dyja krahët e rrugës nacionale;
  • Zona II, e cila përfshin pjesën që ndodhet në jug të fshatit Vuno, poshtë rrugës nacionale, dhe përfshin kompleksin e Kishës së Shën Spiridhonit, së bashku me shkollën dhe Kishën e Shën Mëhillit.”

Kriteret e ndërhyrjeve dhe rregullat e ndërtimit

Plani i ri përcakton rregulla të rrepta për çdo ndërhyrje ndërtimore apo restauruese me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe peizazhit kulturor. Në hapësirën e “Qendrës historike” ndalohen ndërtimet e reja, me përjashtim të rikonstruksionit të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe ndërhyrjeve mirëmbajtëse e restauruese.

Për sa i përket zonës mbrojtëse, lejohen përshtatjet, rikonstruksionet dhe ndërtimet e reja, por ato duhet t’i përmbahen kritereve specifike të arkitekturës tradicionale.

“Lartësia maksimale ose numri i kateve duhet të jetë i njëjtë me mesataren e kateve të ndërtesave përreth, por sidoqoftë jo më shumë se 2 (dy) – 6,5 m deri në kornizën e çatisë… duke ruajtur origjinalitetin e ndërtimit të çative 4 (katër) ujëse, me pjerrësi 25–30 gradë, mbuluar me tjegulla vendi ngjyrë të kuqe.”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, në të gjithë territorin e mbrojtur ndalohen kategorikisht strukturat industriale dhe guroret.

Zbatimi, monitorimi dhe institucionet përgjegjëse

Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkisë Himarë. Po ashtu, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) është ngarkuar me publikimin e hartave zyrtare në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin përkatës.

Studimet dhe projektet për ndërhyrjet në pasuritë kulturore do të shqyrtohen dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), ndërsa monitorimi i punimeve në terren do të kryhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) përgjegjëse. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme