SHBA: Rusia të pranojë marrëveshjen e armëpushimit në Ukrainë. Lufta nuk është në interesin e askujt

Botë | 1 vit më parë

SHBA shprehet e bindur se propozimi i tyre për një armëpushim në Ukrainë është më e mira e mundshme për Rusinë, ndërsa shton, se presidenti Vladimir Putin duket ta pranojë këtë marrëveshje.

Këto deklarata u bënë në mbledhjen e  Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, John Kelley, i cili tha se “zgjatja e luftës nuk është në interesin e askujt”.

“Ne duam të punojmë me Rusinë, duke përfshirë këtë iniciativë paqeje dhe një paketë ekonomike. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. Marrëveshja që ofrohet tani është rezultati më i mirë i mundshëm për Rusinë. Presidenti Putin duhet ta pranojë marrëveshjen. Që atëherë, ne i kemi kërkuar Rusisë të pranojë një armëpushim”, tha Kelley.

Përfaqësuesi i SHBA në OKB, John Kelley shtoi gjithashtu se nëse nuk shikon seriozitet nga ana e palëve për armëpushim, do të tërhiqet nga negociata.

 “Nëse Rusia merr vendimin e gabuar për të vazhduar këtë luftë katastrofike, Shtetet e Bashkuara do të duhet të marrin në konsideratë tërheqjen nga përpjekjet tona negociuese për t’i dhënë fund këtij konflikti. Ne do ta gjykojmë seriozitetin e Rusisë ndaj përfundimit të luftës, jo vetëm nga përmbajtja e asaj liste termash, por më e rëndësishmja, nga veprimet e Rusisë”, paralajmëroi ai, duke shtuar se Uashingtoni mund të vendosë edhe sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.

Më herët ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shpreh se Moska kishte hartuar një memorandum që përshkruan një qëndrim për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara duan që Rusia të bjerë dakord për një armëpushim gjithëpërfshirës 30-ditor në tokë, ajër, det dhe infrastrukturë kritike. Një raund i parë bisedimesh të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës më 16 maj dështoi të arrinte një marrëveshje për një armëpushim, të cilin Moska e ka thënë se është e pamundur të arrihet para se të përmbushen kushte të caktuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme