Qerpikët artificialë, mjekët: Ngjitësit të pacertifikuar, po shkaktojnë keratit traumatik
Trendi masiv i vajzave për të vendosur qerpikë artificialë po përkthehet në më shumë probleme për sytë, duke rrezikuar edhe shikimin. Zana Zhuka, okuliste në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, tregon simptomat që kanë pacientet e reja kur paraqiten për ndihmë.
“Vajzat vijnë më sekrecione që janë të ngjitura në sy. Kanë lotim, kanë skuqje, kanë ënjtje në pjesën e konjuktivës dhe me dëmtime të xhamit të syrit”, u shpreh okulistja.
Okulistja shpjegon se këta qerpikë, së bashku me materialin ngjitës që përdoret për vendosjen e tyre, shkaktojnë infeksion të rrënjës së qerpikëve.
“Qerpikët falsë bllokojnë gjëndrën e Meibomit dhe janë ndër shkaktarët kryesorë të syrit të thatë. Jam munduar t’ua shpjegoj edhe pacienteve që përdorin këta qerpikë, që do të japin dëm shumë të madh dhe të paparashikueshëm“, tha Dr. Zhuka.
Edhe tualeti, në rastet kur syri është nën mjekim, është shumë i rrezikshëm.
“Kimikatet e rimelit do të bashkohen me pjesën e lotit që ti mjekon dhe ky rimel do të futet në shtresat e sipërfaqes së syrit, dhe do t’i bëjë dëm xhamit të syrit, kornesë. Pra, kemi të bëjmë me një keratit traumatik, që do të jetë shumë i vështirë për t’u riparuar. Mund të shkojë 1 muaj dhe më shumë, madje mbas trajtimit mund të lërë njolla në xhamin e syrit“, deklaroi okulistja.
Mjekët apelojnë për kujdes, pasi jo të gjithë kanë materiale të certifikuara, higjienën apo profesionalizmin e duhur. Rreziku është edhe më i madh kur flihet me to.
Më shumë se bukurinë, vajzat dhe gratë duhet të ruajnë cilësinë e shikimit.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




