Pogradec, takim ndërinstitucional për administrimin e sezonit turistik

Aktualitet | 1 vit më parë

Në Pogradec u zhvillua një takim ndërinstitucional me drejtuesit e institucioneve vendore, ku në qendër të diskutimeve ishin masat për administrimin e sezonit turistik veror, emergjencat civile dhe kontrolli për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Prefekti Nertil Jole theksoi se ky angazhim institucional është në funksion të zbatimit të Urdhrit të Kryeministrit dhe të përgjegjësive ligjore që çdo institucion ka për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të suksesshëm.

“Synimi këtu është për të ndërgjegjësuar jo vetëm veten tonë me punën që bëjmë vit pas viti, por edhe për të ndërtuar një komunikim efikas mes institucioneve. Detyrimin nuk e kemi vetëm për qytetarët tonë, por edhe për turistët që e vizitojnë”, tha prefekti i qarkut Korçë.

Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Pogradec Ilir Xhakolli nënvizoi se Pogradeci po përgatitet të mirëpresë një fluks të shtuar vizitorësh, falë punës së vazhdueshme për transformimin e qytetit dhe investimeve në infrastrukturë.

“Kemi fokusuar vëmendjen dhe buxhetin te turizmi, pasi është e vetmja mundësi për të zhvilluar ekonominë. Për një turizëm të mirë kërkohet angazhimi i të gjithëve”, tha kryebashkiaku.

Pogradeci mbetet një nga destinacionet më të vizituara në juglindje të vendit, dhe si “porta hyrëse” e turizmit në qarkun Korçë, kërkon një angazhim të shtuar të të gjitha strukturave për të garantuar standarde të larta shërbimi, siguri dhe mikpritje.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme