Dy draftet e demokratëve, PD do dërgojë raportet e zgjedhjeve në kancelaritë ndërkombëtare
15 qershori është i fundit i vendosur nga demokratët për hartimin e raportit përfundimtar në funksion të denoncimit të asaj që ata e cilësojnë “farsë elektorale” të 11 majit.
Ky raport do u depozitohet kancelarive ndërkombëtare europiane, sikundër Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka hartuar edhe dy raporte të tjera paraprake, të cilat kanë mbërritur tashmë në tryezën e punës së përfaqësuesve të faktorit ndërkombëtar.
Falë fakteve dhe provave që PD-ja thotë se janë të pakontestueshme, është bërë i mundur, sipas saj, edhe miratimi i rezolutës së internacionales demokrate të qendrës nga 108 parti.
Kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi rezolutën e miratuar pas zgjedhjeve të 11 majit, mbështetje për kauzën e Partisë Demokratike për rikthimin e votës së lirë.
Gjithashtu, kjo rezolutë, që pason atë të miratuar para zgjedhjeve, thekson si domosdoshmëri krijimin e një qeverie kujdestare si garanci për mbajtjen e zgjedhjeve të lira.
Pas përfundimit të fazës së denoncimeve dhe shqyrtimit të ankimimeve të PD-së pranë institucionit të administrimit të zgjedhjeve, PD-ja do të nisë edhe procesin e analizës së brendshme për performancën e përfaqësuesve të saj në terren gjatë fushatës elektorale.
Gjithsesi Partia Demokratike ka bërë të qartë vendimin e saj se nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit dhe se kërkesa e saj është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme përmes një qeverie teknike.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




